Shkollat me mësim gjithëditor në Prishtinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Komuna e Prishtinës, për herë të parë në arsimin publik në Kosovë, do të fillojë me një pilot projekt në tri shkolla të kryeqytetit, ku do të zhvillohet mësim gjithëditor.

Mësuesit e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, e cila është njëra nga shkollat që do të përfshihet në këtë test-projekt, në kushte anonimiteti kanë thënë për lajmi.net, se dyshojnë që një formë e tillë e mësimit do të mund të realizohet, sidomos me kushtet aktuale.

Por në anën tjetër Komuna e Prishtinës, ka besim në projektin që po përgatitet ta fillojë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, në një intervistë për lajmi.net, ka thënë se pilot projekti i cili do të fillojë së implementuari në tri shkolla fillore të kryeqytetit do të përfshijë aktivitete të ndryshme, dhe se Komuna është duke punuar në krijimin e të gjitha kushteve për të pasur sukses me këtë nismë.

“Gjatë kësaj kohe shtesë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, më konkretisht do të ketë mësim shtesë, që do të organizohet prej nxënësve që janë të talentuar në lëndë të veçanta, mësim plotësues për ata që kanë ngecje në lëndë të caktuara, aktivitete kulturo-artistike që nënkupton aktivitete të dramës, muzikës dhe të ngjashme, pastaj aktivitete sportive. Por edhe të tjera, si ato që ndërlidhen me mësimin e gjuhëve të huaja, kryesisht do të ofrohen gjuhët të cilat nuk janë në kurrikulën e rregullt shkollore. E gjithashtu do të ketë edhe vizita dhe mësim në natyrë”, ka thënë drejtoresha Nagavci.

Ky lloj mësimi gjithëditor, apo koha sa fëmijët do të qëndrojnë në ambientet e shkollës, sipas drejtoreshës Nagavci, do të bëhet varësisht nga mosha e nxënësve.

“Për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e tretë, do të jetë një orar më i shkurtër. Orari do të shtohet vetëm për një orë e tridhjetë minuta nga ai i zakonshmi. Ndërsa për ata prej klasës katër deri në të pestën, do të jenë diku rreth dy orë më i gjatë, dhe për nxënësit e klasës së gjashtë deri në të nëntën, të cilët janë në një moshë më të madhe aktivitetet do të jenë me një kohëzgjatje pak më të madhe”./Lajmi.net/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shkollat-me-mesim-gjitheditor-ne-prishtine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala