Shkollat e Prishtinës refuzojnë nxënës nga komunat e tjera

Neni 5 i Ligjit për Arsimin në komunat e Kosovës, pika b, parasheh regjistrimin dhe pranimin e nxënësve në pajtim me respektimin e parimeve të mosdiskriminimit sipas ligjit.
Të njëjtën gjë e parasheh edhe neni 3 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar, sipas të cilit asnjë personi nuk guxon t’i mohohet e drejta për arsim. Por që të dy këto nene po shkelen në disa shkolla të Prishtinës.
Në shkollat e mesme të Prishtinës nuk është pranuar asnjë aplikacion i nxënësve banorë të komunave të tjera, ndërkaq ligji parasheh që të gjithë fëmijët të kenë të drejta të barabarta për shkollim.
“Është obligim i përgjithshëm i Ministrisë, komunave, institucioneve arsimore dhe të gjitha organeve të tjera, të përfshira në ofrimin e arsimit parauniversitar, siç është rregulluar përmes këtij ligji dhe ligjeve të tjera në fuqi, që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor e social”, thuhet në Ligjin për Arsimin Parauniversitar. /koha/