Shkolla, rruga e vetme!

Autori:Zekirja Shabani

Të qenurit  nxënësi i vetëm i komunitetit ashkali në gjimnazin “Hizvi Sylejmani” në Fushë Kosovë, ishte mjaftë sfiduese për të riun e kësaj komune Artan Asllani. Por, kjo ishte edhe një motiv më shumë pas shtytjes së madhe që i dha i ati për të studjuar.

“Në fillim menjëherë pas luftës, komuniteti ynë ka qenë i pashkolluar dhe i pa integruar. Unë gjithmonë e kam pasur prioritet edukimin, e të njëjtën gjë kam dëshirë ta përcjellë edhe të njerëzit e tjerë të komunietetit. Kam qenë gjimnazisti i vetëm i komunitetit ashkali në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” këtu në Fushë Kosovë, por kjo nuk ka qenë aspak problem për mua që të vazhdoj shkollimin dhe edukimin tim” shprehet 24 vjeçari Artan Asllani.

Ai ka studjuar shkencat kompjuterike në AAB. Tani ai është edukator dhe ndihmon në mësimnxënie nxënësit e komuniteteve që jetojnë në komunën e Fushë Kosovës.

“Që nga viti 2008 kam filluar të punoj si tutor fillimisht, në qendrën për mësimnxënie. Pastaj kam filluar të punoj si edukator, punë që vazhdoj ta bëj ende” tregon Asllani.

Duke e parë problemin e vazhdueshëm që e përcjell komunitetin ashkali dhe romë në Fushë Kosovë, e që është papunësia, Artani thotë se u fokusua më shumë në këtë drejtim që t’i ndihmojë të rinjve të tjerë të komunitetit.

“Dihet që problem i madh për komunitetin tonë, vazhdon të mbetet punësimi. Unë gjithmonë kam dashtë dhe i kam ndihmuar të rinjtë e komunitetit që të përgatitet për tregun e punës. I kam mësuar si të shkruajnë një CV për të konkuruar në një vend pune. Pastaj iu kam treguar si të fitojnë bursa ose të përfitojnë nga programe të ndryshme edukuese dhe arsimore, që të mos jenë mjetet financiare pengesë për shkollimin e tyre” thotë Asllani.

“Për t’u inkuadruar në shoqëri, komunitetet që jetojnë në Kosovë, duhet të shkojnë në shkollë dhe mos ta ndërpresin. Njerëzit duhet të edukohen e të arsimohet dhe t’u mundësohet një jetë normale dhe e barabartë me të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë.”

Artan Asllani beson fuqishëm atë që e thotë për rëndësinë e arsimimit të komunitetve pakicë që jetojnë në Kosovë e sidomos të atyre që jetojnë në rrethin ku është rritur ai. Për të ushtruar më lirshëm aktivitetin e tij në përmirësimin e jetës së bashkëvendasve të tij, Asllani në vitin 2013 themeloi një grup të aktivistëve vullnetarë “Akademia e Veprave Sociale”.

“Fillimisht kemi filluar me intergrimin në shkolla të fëmijëve dhe të rinjëve, vazhdimin e shkollimit dhe vetëdijësimin e tyre për mosbraktisjes së shkollës” shton Asllani duke treguar për ekeftin e punës që bënë ai dhe të tjerët me të cilët bashkpunon vazhdimisht. Sipas tij, me punën që kanë bërë tash e këto vejt, kanë arritur që të ndikojnë në heqjen e paragjykimeve dhe diskriminimeve të ndryshme që janë bërë më parë. Asllani pohon se do të vazhdojnë të punojnë në përmirësimin e kushteve pikërisht në fushën e arsimit për komunitetet në Fushë Kosovë. Ai vazhdon të jetë pasqyrë për të rinjtë e tjerë të komunitetit ku ai jeton e vepron.

Iniciativa të tilla të përkrahjes së fëmijëve për edukim janë përkrahur fuqishëm nga donator të ndryshëm. USAID në partneritet me organizatat Balkan Sunflowers dhe People in need, mbështesin katër qendra edukimi, në Fushë Kosovë, Plemetin, Istog dhe Graqanicë. Këto qendra edukative kanë për qëllim ngritjen e nivelit arsimor të fëmijëve të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptas dhe të ndalojnë braktisjen e shkollave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shkolla-rruga-e-vetme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala