Shkolla e Agrobiznesit rrezikon të mbyllet

Drejtori i Arsimit në Komunë e Gjilanit, Nazmi Musa ka thënë se shkolla e Agrobiznesit rrezikon të mbyllet në të ardhmen, për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
Ai ka propozuar ndarjen 50 bursave për nxënësit e shkollës së Agrobiznesit, gjë që është përkrahur edhe nga Komiteti i Arsimit në këtë komunë. Musa ka thënë se këto bursat në shumë prej shumë 17.500 euro, do të jetë pjesë e konkursit për regjistrim në shkollat e mesme.
Ndarja e këtyre bursave është parë si nevojë për motivimin e të rinjve për drejtimet profesionale, ku aktualisht interesimi është shumë i ultë. Ndërkohë, Komiteti i Arsimit ka kërkuar të shikohen mundësitë për rritjen e numrit të bursistëve.
Njëherësh, KA është njoftuar nga drejtori Nazmi Musa se kanë përfunduar procedurat e emërtimit dhe riemërtimit të disa shkollave, ndërsa për disa të tjera, MASHT-i ka kërkuar plotësim të propozimeve.
Kësisoj shkolla “Abaz Ajeti” prej shtatorit të këtij viti do të quhet “7 Marsi”, shkolla në lagjen “Zabeli…” që deri tani ka qenë e pa emërtuar, do të quhet “Zija Shemsiu”, kurse shkolla e mesme e Artit Pamor do të mbajë emrin “Adem Kastrati”.
Për tri shkolla tjera, gjimnazin e ri, që është propozuar të quhet “Xhavit Ahmeti”, shkollën në lagjen “Kodra e Dëshmorëve” (e njohur si lagja 2), që është propozuar të quhet “Sadullah Brestovci” si dhe për shkollën në Lagjen e Re (e njohur si lagja 8), që është propozuar të mbajë emrin “Nazmi Hoxha”, është kërkuar plotësimi i procedurave.
Edhe Kishnapola ka kërkuar riemërtimin e shkollës së fshatit, nga “Afërdita” në “Nijazi Osmani”. Edhe kjo dosje duhet të plotësohet, ka thënë Musa, duke nënvizuar se të gjitha propozimet janë bërë nga këshillat e shkollave. Detyura e DKA-së ka qenëqë t`i përcjellë propozimet në MASHT, që është përgjegjës për emërtimin e shkollave, në bazë të propozimeve të dërguara.
KA është njoftuar edhe me rezultatet e testit të arritshmërisë. Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se Gjilani ka arritur të dalë komuna e parë në nivel të vendit në testin për klasat e nënta dhe ky është një sukses i punës së mirë që kanë bërë nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj komune gjatë kësaj faze të shkollimit.
Në nivel komunal, rezultatet më të mira i ka arritur shkolla “Selami Hallaqi”, e cila pasohet nga “Abaz Ajeti”, ndërkaq suksesin më të dobët e ka pasur shkolla “Bajram Curri” e Shurdhanit.
Përndryshe, sa i përket regjistrimit në klasën e parë fillore, Musa ka thënë se do të vazhdojë të zbatohet formula e deritashme, ku merret parasysh rajonalizimi, numri i barabartë i nxënësve nëpër paralele, gjina dhe përzgjedhja sipas alfabetit.