Shkoi Grandi

Autori:Zekirja Shabani

Priti e përcolli me mijëra e mira mysafir. Bahrie Mikullovci këtë punë e bëri nga viti 1978 në recepcionin e Grand Hotel Prishtina. Por nga e hëna shefja e sektorit të pritjes vështirë se do ta bëjë këtë punë.

Më 2 shkurt do të filloj procesi i likuidimit të Ndërmarrjes së Re “Grand Hotel” e cila është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Bahrie Mikullovci bashkë me 91 punëtorë të hotelit në qendër të Prishtinës nuk po e fshehin ankthin që kanë javën e fundit para se ndërmarrja ti hyjë këtij procesi.

“Unë kam punuar nga ditët e para që ka filluar puna në Grand Hotel dhe atë në kohëra shumë të vështira. Për rreth 35 vjet punë e bërë dhe tani nuk kemi ndonjë siguri se çka do të bëhet me vendin tonë të punës”, shprehet krye recepciponistja e hotelit me nam.

Shuhet përfundimisht

Pavarësisht kësaj AKP nuk e ka ndërmend të zmbrapset. Vendimi për fillimin e likuidimit të ndërmarrjes në bordin e AKP është marr gushtin e vitit të kaluar.

“Pas vendimit për përfshirjen e ndërmarrjes në likuidim, sipas ligjit, të gjitha veprimet përsa i përket kësaj ndërmarrje kalojnë nën kompetenca të Autoritetit të Likuidimit. Do të veprohet sipas Ligjit, që do të thotë se do të bëhet njoftimi për anulimin e të gjitha kontratave të punës ndërmjet ndërmarrjes dhe punonjësve që është procedurë ligjore sipas nenit 8 të Ligjit të AKP-së nr.04/L-034, përkatësisht Shtojcës së këtij ligji”, ka thënë për meedie Ylli Kaloshi zëdhënës në Agjencinë e Privatizimit.

Rrjedhimisht Agjencia do të veproj ashtu siç përcaktohet me Ligj, kurse çështja e angazhimit të punëtorëve në këtë ndërmarrje më pas do të jetë nën kompetenca të Autoritetit të Likuidimit të po kësaj ndërmarrje.

“Punëtorët duhet të paraqiten në AKP dhe të shfrytëzojnë mundësitë ligjore për të paraqitur kërkesat/pretendimet e tyre nëse kanë”, kërkon Kaloshi.

Gjithashtu në zyret e Autoritetit të Likuidimit duhet të shkojnë edhe të gjithë shfrytëzuesit e hapësirave të ndërmarrjes Grand.

Shitet pa kushte

Por krejt ky proces nuk pritet të përfundoj shpejt. Në AKP nuk kanë të caktuar ndonjë datë se kur do të përfundoj ky proces pasi atë vendim pritet ta marr bordi në një nga mbledhjet e rradhës.

Por pavarësisht kësaj burime të Gazetës Fjala bëjnë me dije shitja e ndërmarrjes pas likuidimit do të bëhet pa kushte. Kjo do të thotë se blerësit nuk do ti përkufizohet veprimtaria që do të thotë se do të mund t’ia ndërroj destinimin. Nuk do të ketë as kufizime tjera në investime apo mbajtje të punëtorëve ekzistues në punë.

Rimëkëmbja

Edhe pse në qendër të kryeqytetit hoteli më në zë i Kosovës vështir po e merr veten. Recepsionisti i numëron gjithsej 13 dhoma të zëna nga mysafirët në fundjavën e janarit nga gjithsej 368 sa ka Grandi.

Por kreu i sindikatës së punëtorëve që është edhe anëtar bordi menagjerial po beson se po ti ipej kohë hoteli do ta kthej namin që kishte.

“Ne jemi në fazën e rimëkëmbjes së hotelit pas atyre peripecive që kemi kaluar. Në rast se do të na ipet mundësia e koha ne do ta bëjmë hotelin shumë më të vlefshëm se tani. Kështu do të ia rrisim edhe çmimin kur të vie koha e shitjes përfundimisht”, thotë, Mustafë Ahmeti, që drejton sindikatën e punëtorëve në Grand.

Që kur u mor në administrim kjo ndërmarrje Ahmeti po bën me dije se hoteli përforcoi me fitim.

Përpos pagesave të pagave për 92 punëtorë e shlyerjes së të gjitha obligimeve për vitin 2014 në llogarinë e hotelit u mblodhën edhe rreth 100 mijë euro. Ky fakt po e shtynë kryesindikalistin të kërkoj që gjithë punëtorët të mbesin në punë edhe pas datës 2 shkurt.

“Ne i kemi mundësitë jo vetëm të mbajmë veten por edhe të gjenerojmë të ardhura e të investojmë. Posaçërisht gjatë kohës së verës kërkesat e mysafirëve rriten dhe në atë periudhë kemi nevojë kemi nevojë edhe për më shumë punëtorë se sa i kemi tani”.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shkoj-grandi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala