Shkelësit e Ligjit kundër duhanit nuk gjobitën

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyrtarë që merren me monitorimin e këtij ligji, thonë se vitin e parë të hyrjes në fuqi, ligji është zbatuar në masë të kënaqshme, derisa shtojnë se më pas është shënuar rënie e intensitetit të zbatimit të tij.

Ndonëse nga inspektorët sanitarë janë deponuar mbi 280 lëndë që kanë të bëjnë me shkeljen e këtij ligji, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këto lëndë janë shqyrtuar fare pak.

liriana Zymberaj, kryeinspektore sanitare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është bërë një marrëveshje me autoritetet e rendit dhe me gjykatat, që shkelësit e ligjit të marrin dënimin e merituar.

“Është thënë që do të ketë bashkëpunim më të madh mes gjykatave dhe policisë. Na kanë premtuar që do të merren me prioritet lëndët e shkeljes së Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Deri më tash nuk kemi qenë të kënaqur me zbatimin e lëndëve. Nga mbi 280 ankesa që janë dërguar në Gjykatën Themelore për fletëparaqitje, një numër i vogël është zbatuar”, tha Zymberaj.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se me rënien e temperaturave, ligji do të fillojë të shkelet sërish.

Ai ka kërkuar nga inspektorët sanitarë, t’i ashpërsojnë masat në kuptimin e zbatimit të ligjit, derisa ka kërkuar edhe zbatimin e lëndëve nga ana e gjykatave. “Ministria e Shëndetësisë me shume akterë të tjerë janë njoftuar me udhëzimin e ri administrativ,që ka të bëjë me mjediset pa tym duhani, dhe vendosjen e shenjës së ndalesës së duhanit. Qëllimi kryesor ka qenë që këto subjekte të informohen me këtë udhëzim administrativ dhe lëndët që dërgohen në gjykata, të jenë të përpiluara drejt dhe t’i mundësohet gjykatave që të sjellin vendime meritore. Kjo nënkupton që ato lëndë që janë dërguar për kundërvajtje për shkeljen e Ligjit kundër duhanit, të marrin dënimin e merituar pasi kanë shkelur ligjin”, ka shtuar Hoti.

Sido që të jetë, kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në prill të këtij viti, se janë mbi 70 mijë lëndë në përgjithësi që presin shqyrtim dhe rrjedhimisht lëndët për shkelje të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, nuk kanë qenë me prioritet.

Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se pa një zbatim të mirëfilltë të këtij ligji, nuk mund të pritet as përmirësim i statusit shëndetësor të popullatës së Kosovës.

“Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë, ndonëse ka filluar të zbatohet në mënyrë të mirë, kohëve të fundit është zbehur kjo praktikë, sidomos tash kur koha është ftohur. Lëndët që procedohen nga inspektorati sanitar në gjykata, duhet të zbatohen sa më shpejtë, në mënyrë që ata që e shkelin ligjin edhe t’i bartin pasojat”, tha Syla.

Sidoqoftë, në Kosovë aktualisht ka ardhur një grup ekspertësh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që do të bëjnë vlerësimin për efektet që ka sjellë Ligji për Kontrollin e Duhanit, dhe pritet të japin edhe rekomandime se si të shkohet më tutje me këto masa, duke u bazuar edhe në shtetet tjera që e respektojnë këtë ligj.

Ndryshe, vitin e kaluar në Kosovë kanë hyrë 2 mijë e 400 tonelata duhan.

Mesatarja e importit të duhanit që hyn në Kosovë për një vit, është rreth 3 mijë e 500 tonelata. /Rel/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shkelesit-e-ligjit-kunder-duhanit-nuk-gjobiten/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala