SHIK-u i Berishës fajësohet për vrasjen e Remzi Hoxhës

Autori:Avdyl Pajaziti

20 vjet pas zhdukjes së Remzi Hoxhës, familjarët ndiejnë se procesi për dënimin e vrasësve të Hoxhës po ecën në rrugë të mbarë.

Në një intervistë për Rubikon, i biri i tij, Adrian Hoxha, ka rrëfyer prapaskenat e gjithë procesit 20-vjeçar në përpjekje për të gjetur vrasësit e të atit nga njerëzit e Sali Berishës dhe gjetjes së eshtrave të tij.

Hoxha ka thënë se vetëm pas 20 vjetësh arritën t’i dëshmonin opinionit se Sali Berisha ka gisht në vrasjen e Remzi Hoxhës.

“Ka përfunduar një proces gjyqësore dhe vetëm pas 20 vjetësh arritëm të dëshmonim se ShIK-u i Berishës e ka bërë këtë punë. Fakti i dëshmimit të fajësisë së Ilir Kumbaros dhe emri i dy aktorëve kryesorë të përfshirë në zhdukjen e babit tim, në qeverisjen e mëvonshme të Berishës, Bashkim Gazidede dhe Arben Sefgjini, flasin më mirë për atë se kush ishte fajtori kryesor për zhdukjen e tij”.

Hoxha më tej ka thënë se për procesin janë angazhuar edhe veprimtarë të tjerë, por që, sipas tij, shumë herë janë kthyer mbrapsht nga kërcënimet e marra direkt nga Sali Berisha, transmeton Koha,net.

“Shumë njerëz kanë hasur në vesh të shurdhër ose Berisha u ka thënë se nuk është punë për juve, ka pasur raste kur edhe u ka thënë mos u merrni me këtë çështje se u shkon koka”.

Sipas tij, i ati i tij ishte futur në listën e zezë të Berishës, pas ai kishte menduar se ai posedonte xhirime të takimit të tij më 1993 mes Millosheviqit, Kiro Gligorovit dhe Berishës që në atë kohë ishte president i Shqipërisë, e që mendohet së Shqipëria e kishte furnizuar me naftë Serbinë, ndaj të cilës kishte embargo për shkaktimin e luftërave në Ballkan.

Por, sipas rrëfimeve që Adrian Hoxha ka dëgjuar nga shokët e të atit, ai nuk i posedonte këto xhirime, por kishte ndodhur rastësisht të shihte po ashtu edhe takimin me Bashkim Gazidedës me Arkanin në Shkodër.

Por Hoxhës i vjen keq fakti që kosovarët Berishën e shohin së Baba të Kombit, pasi, sipas tij, historia do ta dëshmojë se nuk ka asnjë njëri më antishqiptar se Berisha.

Deri sa Gjykata e për Krime të Rënda në Tiranë kishte dënuar me 15 vjet burgim Ilir Kumbaron për vrasjen e Hoxhës, ai vazhdon të jetë në arrati.

Por Hoxha, i cili thotë se ka shpresë se Kumbaro do të gjendet dhe do t’i shpjerë ata deri tek eshtrat e të atit.

Hoxha madje ka shpjeguar edhe faktin se kishin arritur të zbulonin vrasësit e babait duke u nisur nga një numër targash e deri të përfshirja e gjithë akteve kryesore të SHIK-u.

Për Rubikon ai ka potencuar se lidhjet e forta të Berishës me sistemin e drejtësisë po e prolongojnë një gjë të tillë, duke hedhur akuza edhe ndaj presidentit Nishani.

“Fakti se Nishani vjen nga radhët e PD-së dhe fakti që ai është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tregon edhe arsyen pse dënimi për Kumbaron nuk po fuqizohet. Ka dy vjet e gjysmë që procesi ka shkuar në Gjykatën e Lartë, por asnjë seancë e vetme nuk është mbajtur për këtë rast dhe kjo për faktin se vetë Bujar Nishani vjen nga PD-ja e Berishës”.

Por Hoxha ka varur shpresat te kryeministri Edi Rama, i cili, sipas tij, ka fuqi për ta zgjidhur rastin. “Nëse Rama do, brenda javësh do të dënohen vrasësit e babait tim”, ka theksuar Hoxha.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shik-u-i-berishes-fajesohet-per-vrasjen-e-remzi-hoxhes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala