Sheshit që s’po i shihet fundi (Foto)

Autori:Gazeta Fjala

Sheshi i Mitrovicës, i filluar në qershor të 2014-tës, është paraparë të përfundonte në mars të vitit 2015. Për këtë, Zyra e BE-së që është donatori i vetëm në këtë projekt, ka dhënë sqarim për Gazetën Fjala, duke bërë të ditur se për shkak të disa komplikimeve në projekt, afati i përfundimit është shtyrë për në tetor të 2015-tës. Që i bie me 7 muaj vonesë.

Tani ku kanë kaluar 5 muaj nga afati kur është dashur të përfundonin punët, në shesh ende po ndërrohen pllakat e vendosura së fundmi, sepse nuk e kishin cilësinë e duhur. Kjo për zyrtarët komunal, ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së kompanisë punëkryese. Sipas shefes së kabinetit të kryetarit, Selvie Kurti, kompania pavetëdije ka dëmtuar pllakat e vendosura në disa pjesë të sheshit. “Punëtorët kanë kaluar me ngjeshës nëpër pllaka, duke mos e ditur se në përshkrim të cilësisë së pllakave, shkruan se nuk guxojnë të kalojnë mbi to, makina dhe pajisje të tjera” ka thënë ajo për Gazetën Fjala.
Pllakat
E, për këtë është kontaktuar edhe kompania punëkryese “Jehona shpk”, por mbikëqyrësi i punimeve nuk ka pranuar të prononcohet, e ndërkaq kompania nuk ka një numër kontakti në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Plani për sheshin po ndërron

Udhëheqësia komunale po akuzohet nga opozita se nuk e ka një plan të detajuar se di do të duket sheshi në fund. Ata po thonë se plani po ndërron sipas tekeve.
Sipas koordinatorit të VV-së për Mitrovicë, Faruk Mujka, disa herë ka ndërruar plani i punëve, e sipas tij, atyre as nuk iu është paraqitur një plan konkret. “Planet po ndërrojnë çdo ditë. Bile, për sheshin as që dihet se si do të duket në fund” ka potencuar Mujka.
1sheshi

Ai ka treguar për “Gazetën Fjala” se në mbledhjen e Kuvendit Komunal, kur është diskutuar për mos heqjen e parkut afër sallës sportive “Minatori”, ka marrë premtimin e kryetarit Bahtiri se hapësira gjelbëruese nuk do të preket, e megjithatë, sipas tij, ajo pjesë veçse është pllakëzuar. “Në procesverbalin e mbledhjes janë fjalët ku unë e ngrisë këtë problem, e kryetari më premton që hapësira gjelbëruese nuk do preket. Por, ajo është pjesa që u pllakëzua e para” ka shtuar Mujka.

Sheshi po kthehet në vendparkim

Mungesa e vendparkimeve nëpër qytet, ka bërë që qytetarët mos të zgjedhin vend për ta lënë makinën e tyre. Madje, ata po i lënë edhe në vendpunishten e sheshit, e edhe në pllakat e reja të vendosura në shesh.

Në disa fotografi të siguruara nga Gazeta Fjala, shihet pjesa e pllakëzuar e sheshit, e cila është e mbushur me makina.
2sheshi

Për këtë është kontaktuar Naim Hajra, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës. Ai është shprehur se përgjegjëse për sigurimin e vendpunishtes është kompania, e që, sipas tij, nuk po e bën. “Përderisa nuk bëhet dorëzimi i projektit, përgjegjëse është kompania. Komuna ka vetëm rolin e mbikëqyrësit të punimeve” ka thënë Hajra për Gazetën Fjala.

Ai më tej ka shtuar se përgjegjësi e kompanisë ka qenë edhe spërkatja me ujë e punishtes për të mos u shkaktuar pluhur, por as këtë nuk e ka kryer kompania.

Ndryshe, sheshi në Mitrovicë është donacion i Zyrës së BE-së në Kosovë, dhe kapë shifrë 1.8 milion euro. Punimet ka qenë dashur të përfundojnë në mars të këtij viti, por për shkak të shumë vonesave, ende nuk është bërë pllakëzimi i tij./Gazeta Fjala/.

3seshi 4sheshi

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sheshit-qe-spo-i-shihet-fundi-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala