Shërbyesit civil të Komunës së Vitisë gjatë orarit të punës rrinë nëpër kafene

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET, ka identifikuar mos respektim të orarit të punës nga shërbyesit civil të Komunës së Vitisë. Zyrtarët komunal në periudhat kohore nuk qëndrojnë në zyret e tyre, por në kafenetë afër komunës duke pirë kafe.
Kjo dukuri është duke e përcjellë këtë institucion që një periudhë të gjatë duke filluar nga shefat e sektorëve, e deri tek shërbyesit civil normal.
“AVONET konsideron se udhëheqësit dhe shefat janë të obliguar që të zbatojnë ligjin dhe udhëzimet administrative, po ashtu edhe rregulloret dhe kodin e mirësjelljes, por jo ata që janë të obliguar për t’i respektuar të jenë shkelësit e më të mëdhenj.
Mungesa e mos shqiptimit të masave disiplinore për shërbyesit civil, krijon mos disiplinë brenda institucionit dhe neglizhencë në kryerjen e detyrave të punës”, thuhet në njoftimin e AVONET.
Kjo organizatë kërkon nga kryetari që të ndalë këtë dukuri të mos qëndrimit të shërbyesve civil në punë, sepse kjo dukuri rrit mos besimin tek qytetarët, si dhe në të njëjtën kohë krijon pakënaqësi tek shërbyesit civil që respektojnë kodin e mirësjelljes.