Shërbimi sekret, e keqja më e madhe e shqiptarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Shërbimi sekret i Maqedonisë perceptohet nga shqiptarët e këtij vendi si institucioni, prej nga e kanë burimin të këqijat më të mëdha ndaj tyre.

Kështu është shprehur deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu, në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e punës së Shërbimeve Inteligjente dhe Policisë.

Siç u shpreh udhëheqësi i PDSH-së, Menduh Thaçi, ai është ndjekur ndër vite nga shërbimet sekrete maqedonase, vetëm pse është angazhuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Shërbimi sekret maqedonas është i brumosur nga brenda me antishqiptarizëm. Në mendjen kolektive të shqiptarëve, ashtu si edhe MPB-ja, këto dy institucione perceptohen si burimi i së keqes dhe raprezaljeve që përjetojnë shqiptarët”, tha Ernad Fejzullahu, deputet i PDSH-së, raporton Tch.

Gjatë debatit lidhur me raportin e ekspertëve evropianë mbi sundimin e së drejtës në vend dhe rekomandimeve, që ata propozojnë për hetimin e materialeve të përgjuara, deputetët e opozitës maqedonase akuzuan kryeministrin Gruevski se, ka rrënuar sistemin kushtetues duke shpërdoruar pushtetin.

“Qeveria dhe VMRO-DPMNE-ja kanë shkelur parimet bazë të Kushtetutës, duke përgjuar politikanët e qeverisë dhe pushtetit, por edhe gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile”, tha Goran Misovski, deputet i PRSD-së.

Me vlerësime krejtësisht të ndryshme dolën deputetët e partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, të cilët shprehën rezerva për raportin e përgatitur nga ekspertët e Komisionit Evropian.

“Jam i detyruar të shpreh rezervat që kam, ndaj të gjitha vërejtjeve, sepse nuk është e mundur që në një afat prej 7 ditësh të bëhet një analizë për situatën në vend. Bëhet fjalë për raport subjektiv”, tha Pavle Sazdov, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deputetët e opozitës theksuan nevojën për reforma të thella në Drejtorinë për Sigurinë dhe Kundërzbulimin. Ata kërkuan që kontrolli parlamentar mbi shërbimet inteligjente në vend të mos mbetej vetëm në letër.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sherbimi-sekret-e-keqja-me-e-madhe-e-shqiptareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala