Shënohet rënie në trafikimin e drogës

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës bëri të ditur këtë vit është shënuar rënie e trafikimit me substanca narkotike. Për dallim nga viti 2014 ku janë shënuar 354 raste të trafikimit dhe abuzimit me substanca narkotike, sivjet janë shënuar 207 raste.

Bazuar në statistikat e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë të Policisë së Kosovës dhe krahasimet me vitin paraprak ka një ulje të rasteve dhe personave të dyshuar me trafikimin dhe abuzimin me substancë narkotike.

Në vitin 2014 janë shënuar 354 raste dhe të arrestuar janë 385 persona, ndërsa në këtë vit deri më tani janë shënuar 207 raste dhe 206 arrestim.

“Janë konfiskuar 1179.73 gr heroinë, 608198.8 gr marihuanë, 20888.9 gr kokainë në vitin e kaluar, ndërsa deri më tani në këtë vit janë konfiskuar 8631.23 gr heroinë, 49124.65 gr marihuanë, 36.8 gr kokainë”, bën të ditur Policia për Telegrafin.

Sipas Policisë së Kosovës kujdes i veçantë i kushtohet fushës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe parandalimit.

Policia thekson se përkushtim i shtuar i është kushtuar parandalimit dhe zvogëlimit të ofertës dhe furnizimit.

Po ashtu thuhet se janë intensifikuar vizitat në lokacionet e ndryshme të frekuentuara nga trafikantët, në shkollat e mesme të Kosovës janë mbajtur ligjërata me qëllim vetëdijesimi për pasojat nga përdorimi i drogave, etj.

Ndryshe, kohë më parë drejtori i qendrës “Labirinti” Safet Blakaj ka bërë të ditur për Telegrafin se numri i përgjithshëm i përdoruesve të lëndëve narkotike që janë paraqitur në këtë qendër është 1224 persona.

Sipas Blakajt, Prishtina ka më së shumti përdorues të drogave në Kosovë. Pastaj vijnë Prizreni e Gjilani. Regjioni i Mitrovicës është problematik, jo duke u bazuar në të dhënat statistikore, por në bazë të raporteve dinamike.

Ndërsa, Gjakova para katër viteve ka qenë e orientuar në drogën më të rrezikshme – heroinën. E, teksa përdorimi i marihuanës po shtohet, nuk dihet se me çka mund të zëvendësohet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shenohet-renie-ne-trafikimin-e-droges/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala