Shefi i policisë thotë se Kosova ka ekstremizëm fetar

Drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, duke u përgjigjur ndaj pyetjeve të deputetëve ka thënë se Kosova është cak i ekstremizmit fetar. “Nuk është çerdhe e as prodhuese e ekstremizmit por është cak dhe target”, ka thënë Maxhuni.
Derisa ka përmendur nevojën që të hulumtohen veprimtaritë e sakta të disa organizatave jo qeveritare qe kanë operuar pas luftës në Kosovë.
Në Siri në krahun e ISIS-it luftojnë 300 shtetas të Kosovës
Në Komisionin Parlamentar për Siguri është duke raportuar drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Fillimisht ai foli për rastin e Badovcit. Maxhuni tha se qytetarët duhet të ndihen të sigurt. Siç raporton “Koha Ditore” nga kjo mbledhje, kryepolici i Kosovës ka treguar se, sipas të dhënave që ka Policia, 300 shtetas të Kosovës janë duke marrë pjesë në luftën ne Siri.
Aktualisht anëtart e Komisionit po i adresojnë pyetjet e tyre drejtorit Maxhuni.
Që të gjitha deri me tani lidhen me ekstremizmin fetar dhe arrestimet e fundit për terrorizëm.
Zafir Berisha nga Nisma ka kërkuar nga Maxhuni që të tregojë nëse arrestimi i tyre është meritë e Policisë apo qytetarëve. Derisa ka kërkuar njëkohësisht të dijë se çfarë informacione ka pasur Policia lidhur me koncertin e pavarësisë se Amerikës dhe pse ai u anulua duke e ndërlidhur këtë me arrestimet e fundit për terrorizëm.
E Ganimete Musliu nga PDK tha se fakti që Kosova renditet si shteti i katërt për nga pjesëmarrja e banorëve të saj në luftën në Siri është shqetësues. Ajo pyeti drejtorin se sa janë duke monituruar zonat rurale të Kosovës sa i përket ekstremizmit.