SHBA-të dokumentojnë tregtinë ndërmjet rusëve dhe DAESH-it

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe pse Presidenti rus, Vladimir Putin, po orvatet të krijojë lidhje ndërmjet Turqisë dhe naftës së shitur nga organizata terroriste DAESH, administrata e Uashingtonit ka dokumentuar se situata është krejtësisht e kundërta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konstatuan se ndërmjetësues të naftës së DAESH-it janë vetë rusët.Departamenti amerikan i Thesarit ka përfshirë në listën e zezë 4 persona dhe 6 kompani, mes të cilëve edhe rusë, për mbështetje financiare ndaj regjimit të Esadit dhe ndërmjetësim për DAESH-in në shitjen e naftës.

Sipas deklaratës së Departamentit të Thesarit në SHBA, George Haswani dhe kompania në pronësinë e tij, të dy të përfshirë në listën e zezë, ndërmjetësojnë regjimin e Esadit për blerjen e naftës nga DAESH-i.

Një tjetër emër i sanksionuar nga autoritetet amerikane është edhe Mudalal Khuri, president i bordit ekzekutiv të bankës ruse “Financial Alliance” dhe njëherësh përfaqësues financiar i regjimit të Esadit në Rusi.

Sakaq, Kirsan Ilyumzhinov, ish-president i Federatës Botërore të Shahut dhe i Kalmikisë, kjo e fundit një nga republikat federative të Rusisë, është përfshirë në listën e zezë amerikane për marrëdhëniet e tij të dyshimta me firmat e kontrolluara nga biznesmeni sirian, Mudalal Khuri, me në krye Bankën “Financial Alliance”.

Për të njëjtat motive, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar edhe Nicos Nicolaou, drejtor i kompanisë këshilluese “Primax” me seli në Qipron e Jugut.

Vitin e kaluar, sërish për blerje të naftës nga organizata terroriste DAESH, SHBA-të kishin përfshirë në listën e zezë gjithashtu institucionin financiar rus “Tempbank” dhe disa afaristë përkrahës të regjimit sirian./trt/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shba-te-dokumentojne-tregtine-ndermjet-ruseve-dhe-daesh-it/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala