SHBA-të do ta vazhdojnë mbështetjen për bujqësinë në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë të mbështesin sektorin e bujqësisë përmes USAID-it, por edhe në forma të tjera, me qëllim të avancimit të këtij sektori, për të nxitur në radhë të parë rritje të prodhimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo përkrahje u konfirmua të enjten gjatë takimeve që ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi kishte me Alina Romanowski, koordinatore e ndihmës amerikane për Europë dhe Euroazi në Departamentin e Shtetit, si dhe me zëvendës administratoren e USAID Susan Kosinski Fritz.

Në takimet e ndara me këto dy zyrtare të larta amerikane, ministri Krasniqi, shpalosi disa nga të arriturat e sektorit të bujqësisë në vitet  e fundit, e në veçanti këtë vit. Ministri Krasniqi theksoi se është rritur prodhimi dhe janë rritur sipërfaqet e tokës së punuar.

Ai po ashtu përmendi se me investimet e Qeverisë këtë vit do të hapen 2500 vende të reja të punës në bujqësi. Ministri deklaroi se ka ende shumë sfida në këtë sektor, siç është nevoja për investime më të mëdha, përmirësimi i  sistemit të ujitjes, konsolidimi i tokave, zhvillimi i infrastrukturës rurale, zgjerimi i produkteve të përpunuara, etj. Ministri Krasniqi, falënderoi zonjën Romanowski për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë bujqësisë në Kosove ndër vite, projekte këto që kanë sjellë rezultatet mjaft domethënëse. Ai tha se MBPZHR-ja dhe USAID-i kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe do të punojnë që deri në vitin 2019 të implementojnë nisma të ndryshme në kuadër të projektit Agro, që kap vlerën 12 milionë euro.

Ministri kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë dhe të shikohen mundësitë që ajo të zgjerohet në veçanti në ofrimin e ekspertizave të ndryshme në prodhim dhe përpunim. Nga ana e saj, zonja Romanwski, vlerësoi të arriturat në bujqësi dhe premtoi se mbështetja e SHBA-ve për Kosovën në këtë fushe do të vazhdojë.

Edhe në takim me zëvendësadministratoren e USAID-i, Susan Kosinski Fritz, ministri Krasniqi kërkoi që mbështetja e USAID-it të vazhdojë, duke shikuar mundësitë që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe në aspekte tjera. Zonja Kosinski Fritz vlerësoi bashkëpunimin mes Qeverisë së Kosovës dhe USAID-it në Kosovë duke thënë se ka dhënë rezultatet të rëndësishme për zhvillimin  e vendit. Ajo premtoi se përkrahja për bujqësinë do të vazhdojë pasi është një nga fushat kryesore për zhvillimin e vendit.
Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ministri Krasniqi ka pasur takime të shumta me zyrtarë të lartë ndër ta edhe Sekretarin për Bujqësi të SHBA-ve, Sekretarin për Bujqësi të Iowas,  si dhe drejtues dhe ekspert të Bankës Botërore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shba-te-do-ta-vazhdojne-mbeshtetjen-per-bujqesine-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala