SHBA, po rritet rreziku i sulmeve kibernetike

Autori:Gazeta Fjala

Nëndrejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Richard Ledgett ka paralajmëruar për rritjen e rrezikut nga sulmet kibernetike.

Në një intervistë për BBC, ai ka deklaruar se sulmet në fjalë kryen nga disa shtete. “Nëse je i lidhur ne internet, atëherë je i cënueshëm nga piratë elektronikë të shteteve të caktuara”, ka thënë Ledgett.

Numri dy i NSA-së ka nënvizuar se vendeve në fjalë u duhen vendosur disa vija të kuqe dhe duhet t’iu bëhet e ditur se ato nuk duhet të kalohen.

Ai ka thënë gjithashtu se bordi drejtues i agjencisë ka diskutuar për një sërë ndryshimesh pas rrjedhjes së informacioneve nga ish-kontraktori Edward Snowden.

Zoti Ledgett ka vijuar më tej duke thënë se, në hapësirën kibernetike agjencia e tij sheh një rritje të sulmeve me rrezikshmëri të lartë, duke iu referuar këtu sulmit ndaj “Sony” vitin e kaluar dhe kompanisë saudite “Aramco” në vitin 2012, nga shtete që sipas tij sa vjen e bëhen më agresive.

“Barrierat mbrojtëse po bien dhe kur gjithëkush në botë sa vjen e lidhet më shumë me kompjuterët dhe sistemet e informacionit, cënueshmëritë rriten”, ka nënvizuar Ledgett.

Ai ka sugjeruar më tej se, përmirësimi i sistemit mbrojtës dhe identifikimi i të dhënave sensitive është një mënyrë e rëndësishme për t’i bërë ballë rrezikut.

“Por shtetet tona duhet gjithashtu të bëjnë më të qarta vijat e kuqe, të cilat nëse kalohen do të ketë pasoja”, ka shtuar Ledgett./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shba-po-rritet-rreziku-i-sulmeve-kibernetike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala