SHBA e BE: Miratimi i Speciales, hap i rëndësishëm në integrimin Euro-Atlantik

Në një deklaratë e përbashkët thuhet se misionet e BE-së, Përfaqësuesi Special i BE-së/ Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpresin aprovimin e amendamentit kushtetues dhe ligjit të nevojshëm për themelimin e Dhomave të Specializuara, transmeton Telegrafi.
“Ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.
“Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë. Themelimi i tyre do të forcoj parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë”, thuhet në komunikatë.