Shasivar Haxhijaj: Dardan Molliqaj dhe të tjerët më sulmuan dhe kërcënuan

Autori:Avdyl Pajaziti

Shasivar Haxhijaj, këshilltari i ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi ka rrëfyer për Indeksonline në tërësi aktin e dhunshëm ndaj tij dhe demolimin e veturës nga sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj dhe aktivistët e kësaj partie.

“Sot, rreth orës 16:30 po shkoja në një takim zyrtar, me ftesën e ministrit Krasniqi, në kuadër të konferencës për agrobiznesin që ka filluar sot në Prishtinë, kur papritmas jam sulmuar me gurë nga një grup i protestuesve, të udhëhequr nga zyrtari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj”, ka thënë ai.

Sipas tij, ajo çfarë qytetarët kanë parë në media është vetëm një pjesë e gjithë ngjarjes.

“Sulmi kishte nisur më herët, në rrugën Eqrem Çabej, pranë Fakultetit të Filologjisë. Unë kam qenë me veturë në kolonë, gjersa ata, të udhëhequr nga Dardan Molliqaj, më kanë sulmuar me gurë dhe mjete të forta derisa unë kam qenë brenda në veturë. Më pas, ky grup ka qenë edhe më i ashpër dhe më janë afruar dhunshëm, dhe duke më kërcënuar e fyer më kanë detyruar të dalë nga vetura”, ka rrëfyer tutje Haxhijaj.


Ai thotë se Dardan Molliqaj dhe sulmuesit e tjerë e kanë tërhequr me dhunë nga vetura, duke e sharë e duke e kërcënuar edhe fizikisht.

“Këtë gjë e kanë bërë edhe derisa jam distancuar nga ta, derisa e kanë demoluar tërësisht veturën. Pak më pas kanë arritur Policia e Kosovës së cilës ua kam dhënë deklaratën zyrtare për ngjarjen. Dëshiroj të falënderoj Policinë e Kosovës për sjelljen dhe reagimin e tyre dhe shpreh keqardhjen time për sjelljet vandale të aktivistëve të partive politike opozitare”, thotë këshilltari i ministrit të Bujqësisë.

Ai më pas u ka dërguar edhe një mesazh familjarëve dhe miqve të tij.

“Gjithë miqtë e mi dhe familjarët i njoftoj se jam shëndosh e mirë dhe se unë do të vazhdoj të kryejë detyrën time me nder dhe përkushtim, siç kam bërë në çdo kohë, që nga periudha e luftës e deri tash”, ka thënë në fund ai. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shasivar-haxhijaj-dardan-molliqaj-dhe-te-tjeret-me-sulmuan-dhe-kercenuan/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala