Sharku shpërfill ligjin, rishkarkon menaxherin e Prizrenit

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil shpalli të paligjshëm vendimin e Shefit të Administratës Tatimore të Kosovës, për ndërrimin e menaxherëve regjional, saktësisht atij të Prizrenit.

Sharku serish ka rishkarkuar Shaqir Totajn, nje dite pasi zbatoi vendimin per rikthimin e tij ne detyre, ne baze te vendimit te Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Nahit Sharku, po vazhdon të nxjerrë vendime të cilat po i lëvizin punëtorët nga një pozitë në tjetrën.

Shaqir Totaj nga Prizreni është shkarkuar për të dytën herë nga pozita e menaxherit regjional të ATK-së në Prizren, pavarësisht se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e kishte kthyer atë në këtë pozitë, duke hedhur poshtë vendimin për shkarkim të drejtorit Sharku. Këtë veprim, i dëmtuari Shaqir Totaj po e konsideron të qëllimshëm dhe të pabazuar në fakte.

Shaqir Totaj nga Prizreni nuk arriti asnjë ditë ta gëzojë vendimin e këshillit të pavarur mbikëqyrës për shërbyesit civilë, i cili e ktheu atë në pozitën e mëparshme si menaxher rajonal i ATK-së në komunën e Prizrenit. Ushtruesi i detyrës së ATK-së, Nehat Sharku, shkarkoi për herë të dytë nga kjo pozitë Shaqir Totajn, derisa ky i fundit ishte në pushim vjetor. Tek kur doli në zyrë, Totaj kuptoi se tashmë nuk mund ta ushtrojë as postin që drejtori Sharku i kishte dhënë pas vendimit të parë për shkarkim, menaxher në divizionin për planifikim dhe përformancë në Drejtorinë e përgjithshme të ATK-së. Vendimi i drejtorit Sharku për Totajn po cilësohet i qëllimshëm dhe i pabazuar në fakte.

“ E kam përshtypjen se ud. I drejtori ka një deficit të mendimit racional dhe të veprimit ndryshe. Qasja e tij është kryesisht të meret me stafin e tij e jo të meret më shumë punë që ata ka mundësi ti përmirësoj si ndërmaje publike i cili ofron shërbime ndaj bizneseve”, tha Shaqir Totaj.

Pas vendimit të parë për shkarkim, i dëmtuari Shaqir Totaj kishte shprehur pakënaqësinë e tij në organet për ankesa brenda ndërmarrjes por edhe në këshillin mbikëqyrës për shërbyesit civilë. Në një përgjigje me e-mail, zyrtarë të këtij këshilli kanë sqaruar se “Kolegji për shqyrtimin e ankesave, më datën 16 shtator ka aprovuar ankesën e Shaqir Totajt dhe ka shfuqizuar vendimin e datës 22 korrik të këtij viti duke e obliguar kështu drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së, që në afat prej pesëmbëdhjetë ditësh t’i ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale ligjore dhe ankuesin ta kthejë në pozitën e mëhershme”.

Në përgjigjen e këshillit po ashtu thuhet se “…. është njoftuar për moszbatimin faktik të Vendimit të Këshillit dhe se ky organ për çdo rast do të vendosë në mënyrë meritore duke pasur parasysh të gjitha provat dhe dëshmitë e lëndës”. Në vendimin për shkarkimin e Shaqir Totajt nga pozita e mëhershme, ud. drejtori i ATK-së Nahit Sharku, ka përmendur një varg shkeljesh që, sipas tij, i shkarkuari Totaj i ka bërë gjatë marrëdhënies së tij të punës në këtë ndërmarrje. Por Totaj arsyet e drejtorit të tij i cilëson të parëndësishme. “ Këto në qka është bazuar ud. Drejtori Sharku, janë paradoksale dhe qesharake. Në vendim përmendet një diqka e cila pretendon se kinse ka ekzistu ndërsa mardhënia ime e punës ka filluar në vitin 2012, pas kthimit tim nga specializimi një vjecar në SHBA”, tha Tolaj.

RTK ka tentuar për disa ditë rresht që të marrë edhe opinionin e ud. të drejtorit të ATK-së, Nahit Sharku, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve e mesazheve telefonike. Ndërsa zëdhënësja Blerta Nikqi, në një përgjigje t ë zbeht ë , përmes e-mailit, ka thënë se drejtori vendimin për shkarkimin e Shaqir Totajt e ka marrë bazuar në nenin 3 dhe 5 të ligjit për ATK-në. E në këtë ligj thuhet se menaxherët e zyrave rajonale mund të shkarkohen vetëm në raste të korrupsionit, shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe paaftësisë. Por që asnjëra nga këto arsye nuk ceken në vendimin e drejtorit Sharku në rastin e Shaqir Totajt.

Totaj thotë se të drejtën e tij do ta kërkojë edhe në institucionet e tjera relevante. Lidhur me shkeljen siç thotë ai, të të drejtave të stafit në ATK, ai ka dërguar letër edhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, zv.kryeministrit Hashim Thaçi, ministrit të financave Avdullah Hoti, duke i njoftuar se deklasimi i punonjësve të cilët janë kualifikuar nga Universitetet Prestigjioze në SHBA dhe të Certifikuar nga FMN, nuk i kontribuon realizimit të misionit të ATK-se dhe as të Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së, Nahit Sharku, që në ditët e para të emërimit në këtë pozitë ka lëvizur pothuajse komplet administratën që ai drejton aktualisht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sharku-shperfill-ligjin-rishkarkon-menaxherin-e-prizrenit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala