Shala: Qytetari i Republikës s’do dhunë, e aq më pak në një ditë feste si 28 Nëntori

Autori:Gazeta Fjala

Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Flamur Shala, ka reaguar në lidhje me thirrjen e opozitës për protestë në festën e Flamurit, më 28 Nëntor.

Shala, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pamjet në Kuvend, para qeverisë dhe në rrugët e kryeqytetit, të shkaktuara nga sjelljet politike dhe të dhunshme të deputetëve të opozitës, nxitëse për dhunë, nuk mund t’i ndryshojë, as t’i zvogëlojë e t’i rrisë asnjë festë, asnjë festë kombëtare, as festa e madhe e Flamurit”, transmeton Koha.net.

“Pamjet e tilla, në kundërshtim me parimet e demokracisë, kanë reflektuar përpjekje dhe llahtari, ku lufta për pushtet ka marrë përmasat e sjelljeve të dhunshme”, tha Shala, për të shtuar se “kurrë nuk do të donte qytetari i Republikës t’i shohë këto pamje, aq më pak t’i shohë në një ditë feste, edhe më pak në ditën e Flamurit, më 28 nëntor 2015”.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar protestë më 28 Nëntor në kundërshtim të marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi.

Protesta e fundit e opozitarëve, që u përshkallëzua pas shpalljes së dënimit prej 30 ditësh paraburgim për deputeten e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, rezultoi me disa të arrestuar, por edhe me të lënduar, si nga ana e protestuesve, ashtu edhe e forcave të rendit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shala-qytetari-i-republikes-sdo-dhune-e-aq-me-pak-ne-nje-dite-feste-si-28-nentori/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala