Serbia synon kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Hapësirën ajrore të Kosovës prej para dy vjetësh e kontrollon shteti i Hungarisë, mirëpo, mbikëqyrjen dhe kontrollin po synon ta marrë Serbia, raporton KTV.

Nëpërmjet zyrtarëve qeveritarë, Beogradi ka bërë kërkesë në BE që të marrë përsipër menaxhimin e shërbimeve të kontrollit ajror mbi Kosovë.

Për të bërë këtë, besohet se shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të BE-së.

Një burim i sigurt i ka thënë “Kohës Ditore” se përfaqësuesi i Qeverisë Serbe e ka shtruar këtë kërkesë në kontekst të përafrimit të Serbisë me BE-në dhe NATO-n, duke u bazuar edhe në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.

Mirëpo, në BE nuk e kanë parë të arsyeshme të deklarohen për këtë çështje. Kohavisioni i ka dërguar disa pyetje zyrës së përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme, Federica Mogherini, për të cilat nuk ka marrë përgjigje.

Iniciativën e Serbisë nuk e kanë mohuar në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në një përgjigje për KTV-në, zyrtarët serbë hapësirën ajrore të Kosovës e kanë konsideruar si të tyren duke mos e mohuar kërkesën e bërë në Bashkimin Evropian.

Të izoluar krejtësisht për temën në fjalë, kanë qenë edhe në Qeverinë e Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-synon-kontrollin-e-hapesires-ajrore-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala