Serbia, partneri kryesor tregtar i Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova vazhdon të eksportojë para të gatshme, për shkak të mungesës së prodhimit vendor. Vetëm gjatë vitit 2014, nga Kosova kanë dalë 2 miliardë e 213 milionë euro para kesh.

Kaq në të vërtetë është dallimi në mes të importit dhe eksportit, që në gjuhën ekonomike njihet si deficiti tregtar. Totali i eksporteve në vitin 2014 ka qenë 324.5 milionë euro. E importi ishte 2 miliardë e 538 milionë euro.

“Eksporti mbulon importin për vetëm 12.8%”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave për Bilancin tregtar të vitit 2014.

Në rritjen e importit ka ndikuar rritja e konsumit. E rritja e konsumit ka ndodhur për shkak të rritjes së pagave prej 25 për qind në sektorin publik dhe rritjen e remitencave, apo dërgesat nga jashtë, shkruan sot Koha Ditore.

Nga kjo rritje e konsumit ka përfituar më së shumti Serbia. Gjatë vitit 2014 rritja më e madhe e importit ka ardhur nga Serbia. Shitja e prodhimeve serbe në Kosovë është rritur për rreth 30 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Vlera e mallrave që janë importuar nga Serbia në vitin 2014 ka qenë 368 milionë euro, apo një rritje prej 83 milionë eurosh. Në vitin 2013, vlera e importeve nga Serbia kishte qenë 285 milionë euro. Kjo është rritja më e madhe e tregtisë me Serbinë, pasi në të kaluarën ishte mbajtur një status-quo sa i përket shifrës së importit nga Serbia.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-partneri-kryesor-tregtar-i-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala