Serbia pajtohet ti zbatoj marrëveshjet

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Serbisë është pajtuar dhe ka filluar së zbatuari plotësisht marrëveshjet për Shkëmbimin Sistematik Elektronik të të Dhënave Doganore dhe Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në mes të dyja shteteve. Kështu e ka njoftuar ndërmjetësuesi i BE-së ministren për Dialog, Edita Tahiri.

Në një komunikatë për media nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, thuhet se shteti i Kosovës ka përfitime ekonomike dhe politike nga kjo marrëveshje sepse ajo mundëson rritjen e kontrollit të mallrave që eksportohen nga Serbia në Kosovë, rritjen e buxhetit të Kosovës përmes rritjes së të hyrave nga taksat doganore si dhe luftimin e informalitetit në fushën e eksport-importit.

Po ashtu, thuhet se me këtë marrëveshje Kosova kompleton standardet evropiane në fushën e shkëmbimit elektronik të të dhënave doganore në bashkëpunimet rajonale.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes për SEED është ndërtimi i një sistemi të përbashkët standard regjional për këmbimin elektronik dhe automatik të të dhënave në kohë reale, përkatësisht para arritjes së mallrave të eksportuara tek doganat e shtetit tjetër. Këmbimi i të dhënave për mallrat e eksportuara para arritjes së tyre në dogana ndihmon në rritjen e kontrollit të saktë doganor dhe ka për qëllim të rrisë luftën kundër dukurive negative si mashtrimi, informaliteti dhe kontrabanda.

Zbatimi i kësaj marrëveshje do të bëhet në mes të ministrive përkatëse të drejtësisë, asaj të Republikës së Kosovës në njërën anë dhe të Serbisë në anën tjetër.

Marrëveshjet për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike janë marrëveshje ose traktate në mes një apo më shumë shteteve me qëllim të këmbimit të informatave për forcimin e sundimit të ligjit.

Kjo marrëveshje është arritur në janar të vitit 2013, por se zbatimi i saj, ishte ndërprerë nga Serbia në tetor të vitit 2014, kur BE-ja transferoi kompetencat nga EULEX-i tek Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë (PSBE). Derisa Kosova kishte dhënë pëlqimin për vazhdimin e ndihmës së ndërsjellë juridike përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, ishte Serbia ajo e cila e ndërpreu njëanshëm zbatimin e kësaj marrëveshje, për t’ju rikthyer zbatimit tani. Pala e Kosovës i kishte raportuar vazhdimisht BE-së për këtë dështim të Serbisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-pajtohet-ti-zbatoj-marreveshjet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala