Serbia kërkon 50 milion euro për azilkërkuesit shqiptar

Autori:Zekirja Shabani

Shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daciç kërkon në OKB 50 milion euro për Serbinë për të përballuar fluksin e madh të njerëzve që po ikin dhe kërkojnë azil në vendet e Perëndimit. Por në fakt numri më i madh i azilkërkuesve që kanë ikur nga Serbia janë ose shqiptarë të Luginës së Preshevës ose shqiptarë të Kosovës, të cilët janë të pajisur me pasaporta të Republikës së Serbisë.

Presheva Jonë raporton se rreth 60 mijë shqiptar të Kosovës kanë kërkuar të pajisen me pasaportë të shtetit Serb. Agjencia në fjalë citon Ministri e Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, i cili foli gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Protokollit për zbatimin egfrrytrte marrëveshjeve të riatdhesimit me Suedinë në Serbi.

Kësaj shifre i duhet shtuar mbi 42 mijë shqiptarë nga Kosova nga 2008 pajisen me dokumente dhe pasaporta serbe, duke mos llogaritur ketu edhe ata ne diasporë, ku vetëm në Zvicër jetojnë mbi 100 mijë shqiptarë të Kosovës posedojnë pasaporta serbe,

Serbët kryesojnë, sipas Komisionit Europian, kërkesat për azil nga vendet e Ballkanit drejt Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera të “Schengen”-it me 42% për 2013-n. Gjysma e kësaj shifre shënohet nga maqedonasit dhe shqiptarët, 21% për të njëjtën periudhë. Por, raporti i Komisionit vëren tendencën në rritje të kërkesave nga qytetarët shqiptarë dhe në ulje për maqedonasit. Azilkërkuesit nga Bosnja përfaqësojnë 14%, ndërsa nga Mali i Zi vetëm 2%.

Zyrtarët e Komisionit që vizituan Shqipërinë, prillin e kaluar, llogarisin 4 aplikues për çdo 1000 banorë. Franca, Suedia, Britania e Madhe dhe Belgjika janë destinacionet e preferuara të shqiptarëve.

Megjithëse vetëm 8.1% e azilkërkuesve kanë siguruar mbrojtje ndërkombëtare në BE gjatë vitit 2013, shqiptarët rezultojnë me normën më të lartë të pranimit se vendet e tjera të rajonit. Kalimet ilegale të kufirit nga Ballkani në BE shënuan një rritje prej 27% gjatë 2013-s, bazuar në raportet e “Frontex”. Komisioni Europian analizon se ndër 40 mijë raste, vetëm 18 mijë prej tyre ishin shtetas të rajonit, përfshirë Kosovën, ndërsa 22 mijë të tjerët emigrantë nga vende të treta, jo europiane, që kalojnë tranzit përmes Ballkanit në BE. Sipas raportit të Komisionit, shqiptarët regjistrojnë treguesin më të lartë të rajonit për qëndrimin e paligjshëm në vendet “Schengen” me 42%, të ndjekur nga serbët me 25% dhe kosovarët 16%. Greqia, Gjermania, Franca dhe Hungaria kryesojnë listën e vendeve më të prekura të BE-së për këtë problem. Shqipëria shquhet ndër vendet e treta të listuara, shtetasit e të cilëve tentojnë të hyjnë në BE me dokumente false. 85% e rasteve të zbuluara nga Ballkani janë shqiptarë, 8% serbë, e më pas kosovarët me 4%. Në këtë drejtim, Komisioni raporton se pjesa dërrmuese e shqiptarëve udhëtonin me karta identiteti false, greke dhe italiane.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-kerkon-50-milion-euro-per-azilkerkuesit-shqiptar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala