Serbia ka një arsye pse i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Autori:Avdyl Pajaziti

Nëse Kosova pranohet në Interpol, disa zyrtarë të lartë të Serbisë mund të gjenden në listën e të kërkuarve, thotë Darko Trifunoviq, sekretar i Institutit për Studime të Sigurisë.

Sipas tij, lajmi që Kosova ka aplikuar për pranim në këtë organizatë ndërkombëtare, duhet të shihet në aspektin politik dhe në dritën e faktit se ata janë të detyruar të formojnë gjykatën e cila do të merret me krimet e pretenduara të UÇK-së, shkruan “Danas”.

“Nëse pranohen në Interpol, frikësohem se ata do të shfrytëzojnë rastin për të ngritur akuza të rreme ndaj qytetarëve të Serbisë që janë në pozita të larta, në mënyrë që të balancohen politikisht për faktin se disa zyrtarë të tyre të lartë do të ulen në bankën e të akuzuarve”, thotë Trifunoviq, transmeton lajmi.net.

Këtë tezë Trifunoviq e ilustron me shembullin e Momir Stojanoviqit, ish-kreun e Shërbimit Sekret Ushtarak (VBA), tani deputet i SNS, kundër të cilit në shkurt të këtij viti Interpoli lëshoi urdhër arrest për krime lufte të kryera kundër civilëve në Kosovë.

“Po të kishte bazë kjo aktakuzë, me të sigurisht se do të merrej Tribunali i Hagës, kurse gjenerali Stojanoviq ishte atje vetëm në cilësinë e dëshmitarit”, ka thënë Trifunoviq.

Ai beson se çdo qytetar duhet të përfitojë nga sistemet e rregulluara juridike në rajon, por theksoi edhe njëherë frikën se pranimi eventual i Kosovës në Interpol do të sillte keqpërdorime politike.

Në anën tjetër, Bojan Elek nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, beson se pranimi i Kosovës nuk do të kishte ndryshuar diçka të rëndësishme, pasi që UNMIK-u që nga viti 2002 ka të nënshkruar një protokoll për bashkëpunim me këtë organizatë ndërkombëtare.

“Tani për tani, vendimi për kërkimin e personave duhet të kalojë përmes zyrës së UNMIK-ut, dhe kështu në këtë drejtimi pranimi i Kosovës në Interpol do të rriste autonominë e tyre dhe do t’iu epte edhe një tjetër element të shtetësisë. Megjithatë, sa i përket bashkëpunimit policor ndërkombëtarë, anëtarësimi i Kosovës nuk do të ndryshonte asgjë në mënyrë dramatike”, ka deklaruar Elek.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-ka-nje-arsye-pse-i-frikesohet-anetaresimit-te-kosoves-ne-interpol/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala