Serbia fillon të ndryshojë mendimin për pranimin e Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Konkluzionet e publikuara nga Presidenca e Malit të Zi pas samitit, kanë vërtetuar edhe njëherë se Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç është paradoksal, kur është në diskutim Pavarësia e Kosovës.

Por, duke qenë se në fund të samitit të presidentëve të rajonit, që u mbajt në Budva të Malit të Zi, ai pati debat të ashpër me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke thënë se Kosova nuk është shtet dhe duke hedhur akuza të tjera, në konkluzionet e përbashkëta të presidentëve duket se Nikoliç e ka pranuar shtetësinë e Kosovës, transmeton TopChanel.

Në konkluzionet e publikuara në faqen zyrtare të internetit të Presidentit malazez, Kosova përmendet gjithkund si shtet i barabartë me Serbinë dhe vendet e tjera, si dhe pa shënim ekstra të tipit “post script”.

Madje në konkluzione, Serbia ka pranuar detyrimet që ka në bisedimet me Kosovën.

Ndër të tjera, siç thuhet në konkluzionet e samitit, udhëheqësit rajonalë njohin rolin e rëndësishëm të Serbisë në stabilitetin e Ballkanit, si dhe mirëpresin faktin se negociatat e anëtarësimit janë duke vazhduar. Ata e kuptojnë se, progresi në përputhje me procesin e negociatave të anëtarësimit, përfshi zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dialogut Prishtinë-Beograd, do të lejojë hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian, sa më shpejt të jetë e mundur.

Në dokumentin e konkluzioneve, udhëheqësit rajonalë kanë nënvizuar se Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në dialogun me Serbinë dhe se duhet të bëjë progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Të gjitha konkluzionet e samitit janë miratuar unanimisht nga të gjithë presidentët e rajonit.
Kjo nuk është hera e parë, që Presidenti serb, por edhe përfaqësues të tjerë nga Beogradi, ndryshe veprojnë nëpër dokumente zyrtare marrëveshjesh, kur është edhe Kosova, e ndryshe deklarojnë para medieve dhe qytetarëve serbë.

Mësohet se, Presidentja kosovare ishte paralajmëruar para samitit në Mal të Zi, se mund të provokohej nga Presidenti serb, pasi atij i ka rënë popullariteti në Serbi dhe përmes akuzave ndaj Kosovës po përpiqet të rrisë simpatinë e popullit serb.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-fillon-te-ndryshoje-mendimin-per-pranimin-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala