Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Dhuna gjinore, mbrojtja e të drejtave të grave, trajtimi i viktimave të luftës, si dhe pasojat psikologjike të të mbijetuarve të dhunimit gjatë luftës, ishin disa nga temat që u diskutuan në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare kushtuar mbrojtjes së të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, të dielën në Mitrovicë.

Aktiviste dhe njohëse të kësaj çështjeje nga Kosova, rajoni, por edhe shumë vende të botës, kanë folur veç tjerash për dhunën e bazuar në gjini dhe drejtësinë socio-ekonomike inovative për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të gruas. Gjithashtu është folur për dhunën gjatë luftës në Kosovë dhe mekanizmat institucionalë lidhur me viktimat e dhunimit, si dhe u dha një përmbledhje e përgjithshme e situatës së viktimave të dhunuara gjatë luftës.

Gjatë konferencës u shfaq edhe një video dokumentar për viktimat e dhunimit në luftë.

Violeta Berisha, shefe e Divizionit për pranim dhe akomodim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njëherësh ambasadore për Kosovën dhe Shqipërinë e organizatës URGC në Kombet e Bashkuara, tha se është duke u punuar në themelimin e një Komiteti Ndërkombëtar të Grave, në të cilin gratë të bashkuara do të mundohen ta pengojnë në masë më të madhe çështjen e dhunimit të grave dhe dhunës ndaj tyre në përgjithësi.

Sipas saj, Kosova ndodhet akoma në fazën e stresit të pasluftës ku janë dhunuar më shumë se 20 mijë gra, të cilat duhet të ndihmohen, transmeton KP.

“Në Kosovë kemi një problematikë, sepse ende jemi në fazën e depresionit të pasluftës, apo stresit post traumatik të një lufte… Nga kjo luftë kanë dalë mbi 20 mijë gra të dhunuara të cilat duhet të identifikohen dhe të ndihmohen. Ne kemi shumë nevojë që këto gra të fitojnë një satisfaksion ekonomik dhe moral. Duhet që shteti agresor të pranojë të bëmat. Ndaj duhet një kërkim falje dhe një përkrahje nga të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë Berisha.

Ajo ka bërë të ditur se qëllimi është që sa më shpejtë të realizohet një gjykatë për drejtësi inovative socio-ekonomike, ku këto gra do të kenë përmbushje të një drejtësie mbi një padrejtësi të dëshmuar në Kosovë, e cila është ende e tmerrshme dhe e papranuieshme.

Annie Matundu Mbambi nga shteti i Kongos, udhëheqëse e Lidhjes Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Liri, tha se Republika e Kosovës dhe Republika Demokratike e Kongos, si dy shtete të dala pas luftës, kanë të njëjtin problem.

“Kemi të njëjtin problem, nëse Serbia mund t’i kërkojë falje Kosovës, edhe Ruanda duhet t’i kërkoj falje Kongos. Ne kemi më shumë se 10 mijë të dhunuar. Pse duhet të luftojmë gjithmonë, ne duhet të koncentrohemi në zhvillimin e shteteve tona…Nëse Serbia dhe Kosova arrin konsensus, atëherë po, Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës”, theksoi ajo.

Konferenca do të vazhdojë punimet edhe nesër, ndërsa monitorohet nga Gratë aktiviste të angazhuara në Kombet e Bashkuara, Organizata për mbrojtjen e grave nga dhuna në luftë dhe organizatat tjera me seli në Bruksel dhe barazinë gjinore në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-duhet-ti-kerkoje-falje-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala