Serbia akuzon Slloveninë dhe BE-në për arrestimin e Haradinajt

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq beson se arrestimi i ish-kryeministrit kosovar Ramush Haradinajt nga Sllovenia në bazë të një urdhër-arresti të vjetër të Serbisë është bërë për të shkaktuar probleme për qeverinë serbe gjatë bisedimeve të saj me Kosovën të ndërmjetësuara nga BE-ja, njofton agjencia dtt-net.

“Disa gjëra të çuditshme po ndodhin”, ka thënë Vuçiq për mediat lokale duke komentuar arrestimin e Haradinajt në Slloveni të mërkurën.

Vuçiq pyeti pse Haradinaj u arrestua pikërisht tani dhe jo më parë, kur ai kishte përdorur aeroportin e Lubjanës dhjetëra herë pavarësisht urdhër-arrestit nga Beogradi.

Kryeministri tha për Radion B92 se ish-komandanti i UÇK-së udhëtoi për të “50-ten herë”, duke përdorur të njëjtën pasaportë diplomatike në vendet e BE-së, “dhe tani u arrestua vetëm disa ditë para negociatave (Serbi-Kosovë) në Bruksel”.

Vuçiq tha se në bisedimet e javës se ardhshme me homologun kosovar, Isa Mustafa, “do të ketë presion mbi Serbinë (nga BE)”, i bindur se rasti i arrestimit të Haradinajt është një rast i ri në listë nga ana e BE-së kundër Qeverisë serbe, transmeton kp.

“… Por ne jemi në gjendje t’i përballojmë disa ditë edhe më të vështira. Ne do të shkojmë në Bruksel për të arritur një marrëveshje, dhe nëse do ta arrijmë këtë, ne do të shohim, duhet vullnet nga të dy palët”, tha kryeministri serb.

Haradinaj u arrestua të mërkurën në aeroportin e Lubjanës në kthimin e tij në Kosovë nga Berlini.

Pasaporta e tij është konfiskuar dhe është në pritje të një vendimi përfundimtar nëse ai duhet të ekstradohet në Serbi apo të lirohet për t’u kthyer në Kosovë.

Qeveria sllovene ka premtuar se ish-kryeministri kosovar nuk do t’i dorëzohet autoriteteve të Beogradit, por do të lirohet, shkruan dtt-net.com.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbia-akuzon-sllovenine-dhe-be-ne-per-arrestimin-e-haradinajt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala