Serbët nuk e lejojnë Njësitin e Krimeve Ekonomike në veri që të inspektojë “Jugobankën”

Autori:Avdyl Pajaziti

Njësiti i Krimeve Ekonomike nga Prishtina nuk është lejuar të mërkurën rreth orës 10:40 të hyjë në hapësirat e ‘Jugobankës’ në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, ky njësit ka dashur që të inspektoj punën në këtë bankë e cila funksionon ilegalisht në atë pjesë të qytetit të Mitrovicës, mirëpo nëpunësit e kësaj banke, pastaj një numër i qytetarëve, si dhe pjesëtarë të të ashtuquajturës ‘Civilna Zastita’ kanë penguar një gjë të tillë.

E tërë ngjarja ka zgjatur rreth një orë derisa njësiti i krimeve ekonomike është dashur të zmbrapset, ndërsa aty janë parë edhe disa nga krerët e strukturave ilegale në veri.

“Një njësit i krimeve ekonomike nga Prishtina ka ardhur sot për të inspektuar punën e kësaj banke, mirëpo nuk është lejuar ta kryej punën. Me gjasë, për ta zbutur situatën, është arritur një marrëveshje sipas së cilës meqë drejtori i bankës nuk ka qenë prezent, një gjë e tillë është shtyrë për një ditë tjetër”, kanë thënë burimet e Kosovapress-it.

Mësohet se prezent në këtë ngjarje kanë qenë edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nga veriu, si dhe vetë drejtori i policisë Nenad Gjuriq.

Kosovapress ka provuar të marrë ndonjë deklaratë rreth kësaj ngjarje nga përgjegjësit e policisë në veri, por pa sukses.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbet-nuk-e-lejojne-njesitin-e-krimeve-ekonomike-ne-veri-qe-te-inspektoje-jugobanken/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala