Serbët në Kosovë me kompani telekomi

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Bruksel është mbajtur takimi i grupeve punuese për zbatimin e marrëveshjes për telekomin në mes të delegacionit të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, takim ky i cili ka zgjatur 17 orë.

Ministrja për Dialogun në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se në këtë raund të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së është biseduar për përafrimin e qëndrimeve në mes palëve në çështjet që janë të lidhura me finalizimin e planit për veprim.

Sipas një njoftimi për media thuhet se Kosova do ta merr kodin telefonik ndërkombëtar 383 drejtpërdrejt nga ITU ku edhe njëherë është konfirmuar se kërkesa në emër të Republikës së Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë. Po ashtu plani për veprim parasheh që edhe çështja e bashkëpunimit në shërbimet postare në mes të të dyja shteteve të diskutohet dhe të përmbyllet deri në muajin dhjetor të këtij viti.

“Caktimi dhe marrja e kodit telefonik për Kosovën ka rëndësi të madhe, sepse Kosova do ketë një kod unik dhe të vetëm siç e ka çdo shtet, për dallim nga situata e tashme kur në përdorim janë disa kode”, ka theksuar ministrja Tahiri, duke shtuar se ka pajtim që edhe operatorët e dy shteteve të bashkëpunojnë në fushën e interkoneksionit dhe roamingut me qëllim dhe synim të zbritjes së tarifave për qytetarët e dyja vendeve dhe marrëveshja parasheh që edhe Kosova të përfshihet në nismat rajonale për marrëveshjen e roamingut.

Tahiri ka theksuar se pjesë e marrëveshjes është edhe lejimi i përkohshëm për një kompani të re të telefonisë në Kosovë, e cila do ketë fushëveprim të kufizuar.

Ministra Tahiri, pra e pranon se serbëve do t’u lejot një kompani telekomi në Kosovë, ndonëse thotë se do të jetë e përkohshëme dhe do ketë fushëveprim të kufizuar.

Mirëpo, këto pohime të ministres nuk kanë si të mos i kujtojnë edhe pohimet e saj për fusnotën, për të cilën tha se është si një fluskë bore para diellit, por pikërisjt ajo fluskë bore u shtresua në një borë të dendur dhe madje edhe me një bazament të fortë akulli që nuk po shkrihet.

“Ashtu siç edhe është sqaruar nuk bëhet fjalë për operator të ri të telefonisë meqë një lejim i tillë merret vetëm përmes procedurave të garës publike të tenderit me karakter ndërkombëtar.

Me dakordimin final të këtij plani për zbatim që pritet të përmbyllet në takimin e radhës të kryeministrave do të shuhen operimet e operatorëve ilegal që kanë vepruar në Kosovë në fushën e telekomunikacionit brenda një periudhe të paraparë me plan duke vendosur përfundimisht rregullsi në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Në fund të këtij takimi, palët u dakorduan që bisedimet të vazhdojnë dhe se të hënën e ardhshme me 22 qershor 2015 në Bruksel delegacionet do të takohen prapë. /kosovalive/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbet-ne-kosove-me-kompani-telekomi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala