Serbët duan kanal të pavarur televiziv

Autori:Gazeta Fjala

Unioni i Gazetarëve të Serbisë dhe Shoqata e Gazetarëve të Kosovës e Metohisë (si e degë e të parës) kërkojnë themelimin e kanalit të pavarur televiziv në gjuhën serbe.

Ata, siç transmeton Radio KiM, kanë kritikuar drejtorin e RTK2 Zharko Joksimoviqin se gjoja po pengon themelimin e këtij kanali, ndonëse, sipas tyre, kjo është një e drejtë dhe domosdoshmëri e njohur me dokumente ndërkombëtare.

Këto organizata kanë kritikuar Joksimoviqin sepse ky në sajtin e televizionit publik ka kritikuar raportin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Branimir Stojanoviqin, sipas të cilit RTK2 nuk është kanal i paraparë me Planin e Ahtisarit dhe se duhet të ndryshohet korniza ligjore në mënyrë që në Kosovë të themelohet kanali plotësisht i pavarur në gjuhën serbe.

Organizatat serbe të gazetarëve në Serbi e Kosovë, mbështesin pohimet në raportin e zëvendëskryeministrit Stojanoviq, sipas të cilit me rastin e formimit të kanalit RTK2 është shkelur Kushtetuta e Kosovës.

“Në vend të kanalit të pavarur televiziv në gjuhën serbe, që do të mbulonte me sinjal gjithë territorin e Kosovës, populli serb ka fituar një kanal tokësor RTK2 nën kontrollin financiar e redaktues të televizionit publik të Kosovës”, thuhet në kumtesën e këtyre organizatave.

“Unioni i Gazetarëve të Serbisë dhe Shoqata e Gazetarëve të Kosovës e Metohisë ritheksojnë se kanali i pavarur në gjuhën serbe duhet të ketë këshillin e vet drejtues që zgjedh vetë drejtorin, me seli në Graçanicë, dhe duhet të ketë mekanizmat ligjore që do të garantonin financa të pavarura, politika të pavarura drejtuese, redaktuese dhe programore”, theksohet në komunikatë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/serbet-duan-kanal-te-pavarur-televiziv/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala