Selimi: “Specialja e rrezikon Kosovën”

Autori:Avdyl Pajaziti

Njëri ndër figurat kryesore të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka reaguar lidhur me deklaratat e ambasadorit holandez.

Ai ka thënë se të gjithë ata që e kundërshtojnë themelimin e speciales kanë argumente, ndërsa ata që e shtyjnë themelimin e kësaj gjykate, ose nuk kanë argumente, ose po i fshehin ato para deputetëve të kuvendit të Kosovës.

“Nëse ambasadori holandez e dika se themelimi i Gjykatës Speciale nuk e cenon sovranitetin e Kosovës, ai duhet të ketë argumente, e jo ai dhe të tjerët të na fshehin gjithçka çka fshihet prapa themelimit të kësaj gjykate, duke përfshirë edhe Ligjin për Gjykatën”, ka thënë Selimi në një intervistë dhënë Gazetës KNN.

Sipas tij, në të njëjtën kohë fshihet Ligji për Gjykatën, kërkohet që në Kushtetutë të futet themelimi i Gjykatës.

“Të gjithë që e kundërshtojnë këtë gjykatë, kanë argumente, ndërsa të gjithë ata që e sponsorizojnë dhe e shtyjnë themelimin e kësaj gjykate ose nuk kanë argumente, ose u fshehin çfarë do rrethane tjetër deputetëve për ta votuar”.

Ai tha se është se raporti i Williamsonit, me të gjeturat e tij, duke u bazuar në raportin e Dick Martyt, që tregon se çfarë në të vërtetë është kjo gjykatë.

“Një nga paragrafët e deklaratës së tij, mbi të cilën kërkohet të themelohet kjo gjykatë rezulton ‘ në spastrimin etnik të sasive të mëdha të popullsive serbe dhe rome nga ato rrethine në anën jugore të lumit Ibër në Kosovë’… pra kjo gjykatë e mbështetur në këto raporte dhe këto hulumtime, e bën Kosovën përgjegjëse për spastrim etnik. Paramendojeni se çfarë neve mundohen të na shiten si vlerë”, vlerësoi Selimi.

“Pastaj diku pak më poshtë, në një ndër paragrafët tjerë thuhet që: ‘Këto vepra nuk ishin veprat e individëve batakçi që kanë vepruar me dëshirën e vetë, përkundrazi këto janë kryer në një mënyrë të organizuar dhe janë miratuar nga individë të caktuar në nivelet më të larta të udhëheqësisë së UÇK-së’. Pra nëse çfarëdo gjykate themelohet mbi këto paragjykime, krejtësisht të padrejta dhe jo fer ndaj Kosovës, normalisht se kjo gjykatë dihet se ku don të dalë dhe ku don të shkojë”, tha ai.

Sipas deputetit Selimi, ajo ku do të dal dhe ku do të shkojë kjo gjykatë është që ta bëjë të gjithë Kosovën përgjegjëse për spastrim etnik, ta bëjë përgjegjëse Kosovën për organizim për një gjë të tillë, kështu që, vazhdon ai, këto janë argumentet pse e refuzojë.

“Nëse kanë argumente tjera, le të na thonë. Por të thuhet se kjo gjykatë nuk i mbivendoset sovranitetit të Kosovës, më të vërtetë është, kjo nuk tingëllon e vërtetë”, theksoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ndërkaq, Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch kishte thënë se shtyrja e vendimit për Specialen ka pasoja negative dhe se kjo Gjykatë nuk e cenon sovranitetin e Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/selimi-specialja-e-rrezikon-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala