Selimi në Romë i bindur se Kosova do të antarësohet në UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi ka vizituar Romën dhe Vatikanin në kuadër të lobimit të shtetit kosovar për të siguruar mbështetjen nga Selia e Shenjtë dhe Italia për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia janë në anën tonë në betejën që po zhvillojmë prej disa muajsh për t’u bërë pjesë e UNESCO-s. Beteja do të jetë e vështirë, por ne do t’ia dalim,” thotë zëvendësministri Selimi në një intervistë dhënë agjencisë së njohur italiane të lajmeve ANSA, vetëm disa ditë para mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të kësaj agjencie të OKB-së ku do të vendoset nëse do të përfshihet kandidatura e shtetit të vogël ballkanik në rendin e ditës dhe e cila më pas do të votohet në seancën plenare në nëntor.

Selimi thekson se “më 11 shtator, ne do të mësojmë se a do të jetë kandidatura jonë pjesë e rendit të ditës së Bordit Ekzekutiv”, dhe shtoi se, në këtë fazë të parë, “kërkohen vetëm 29 nga 58 vota, pra një shumicë e thjeshtë”. Edhe pse në shikim të parë duket të jetë thjesht një çështje teknike, Kosova po lufton fort përballë kundërshtimit të Serbisë ndaj kandidaturës së saj.

Sapo të mbërrijë në Asamblenë e Përgjithshme, do të nevojitet një shumicë e kualifikuar. “Nga 195 vota, do të kërkohen të paktën dy të tretat e tyre”.

Nëse nuk ia del, aplikimi do të rishqyrtohet më 2017. Për muaj me radhë, qeveria e Kosovës ka punuar pareshtur për t’i materializuar përpjekjet diplomatike në dobi të përmbushjes së synimit, por mbështetja nga kancelaritë e ndryshme nuk është edhe aq e qartë.

Duke përfshirë këtu edhe atë të Romës. Italia mund të mos prononcohet mbi vendosjen e kandidaturës si pikë të rendit të ditës në Bordin Ekzekutiv, andaj mund të mos jetë e detyruar të votojë haptazi për këtë çështje. “Nuk kam asnjë arsye”, thotë Selimi, “për të menduar se Roma nuk do të votojë në favorin tonë. Në të vërtetë, unë pres pikërisht të kundërtën”. Kjo është, pranon ai, beteja më e vështirë për të cilën na është dashur të luftojmë.

“Është hera e parë që ne po kërkojmë të hyjmë në një organizatë në të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk votojnë në Asamble.”

Zëvendësministri Selimi është takuar me imzot Antoine Camilleri, nënsekretar i seksionit të Sekretarit të Shtetit për çështjet e jashtme, me delegatët e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar si dhe me delegatët e Këshillit Papnor për Kulturën.

Mbështetja nga ana e Selisë së Shenjtë për aplikimin për pjesëmarrje në organizatë – pavarësisht nga fakti se vendi ende nuk është njohur nga Selia e Shenjtë – do të kishte një peshë jashtëzakonisht të madhe.

“Mënyra më e mirë për të mbrojtur trashëgiminë e krishterë në Kosovë është që shteti ynë të bëhet anëtar i UNESCO-s”, thekson Selimi.

Ai potencoi se njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të vijë në kohën e duhur dhe se ne jetojmë në një botë ku të gjithë kanë një nxitim të madh. “Ne jemi të parët.” Në Vatikan, Selimi konkludon, akrepat lëvizin në një mënyrë tjetër. Nuk bëhet fjalë për “nëse” por bëhet fjalë për “kur” Kosova do të njihet zyrtarisht nga Vatikani.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/selimi-ne-rome-i-bindur-se-kosova-do-te-antaresohet-ne-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala