Selimi: Kosova mund të anëtarësohet në UNESCO deri në fund të vitit

Autori:Gazeta Fjala

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi në një intervistë për “Radio Bullgaria” ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është një betejë shumë e vështirë me shumë sfida. Megjithëkëtë, Selimi është i bindur se në fund të vitit Kosova do të jetë anëtare e UNESCO-së.

Kosova pjesë e kësaj organizate shumë të rëndësishme të OKB-së, sipas Selimit do të jetë përcaktuese në zhvillimin e arsimit në Kosovë.

“Kosova është pranuar tashmë si shtet nga 111 anëtarë të UNESCO-s. Në kemi aplikuar sepse është organizata e rëndësishme për arsim, shkencë dhe kulturë”, ka thënë Selimi për Radion Bullgare, duke shtuar sivjet diplomacia jonë është fokusuar mbi atë që t’i sigurojë votat.

Këtë tetor sipas tij, duhet arritur gjysmën e votave në Këshillin Ekzekutiv dhe pastaj në nëntor në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s ku kemi nevojë nga 2/3 e votave të anëtarësisë.

“Fatkeqësisht propaganda serbe ende tenton ta parandalojë dhe ta izolojë Kosovën nga arena ndërkombëtare. Por ne po shpresojmë se me të gjithë miqtë, përfshi edhe Bullgarinë, do të arrijmë që Kosova të anëtarësohet në UNESCO deri në fund të vitit”, ka pohuar Selimi.

Ai ka folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se Beogradi ka njohur ligjet e Kosovës e Kushtetutën e Kosovës.

“Kemi pasur edhe njohjet e diplomave, të dokumenteve të tjera. Beogradi është pajtuar të na kthente të dhënat kadastrale për komunat. Por në anën tjetër në arenën ndërkombëtare Beogradi ende heziton ta njehë realitetin e ri në Ballkan dhe kjo po krijon nga njëherë tensione. Ne dimë se nuk mundet as Kosova, as Serbia të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian pa i zgjidhur çështjet bilaterale mes veti”, ka shtuar Selimi.

Ai ka theksuar se dialogu në Bruksel është duke shkuar në një drejtim – është i suksesshëm, është historik, por në anën tjetër nevojitet më shumë dedikim në implementim të marrëveshjeve.

Sipas zëvendësministrit Selimi, Kosova është republika e vetme në ish Jugosllavinë që e ka përfunduar demarkacionin e ¾ të kufijve të vet.

“Me Malin e Zi kemi shumë marrëdhënie të mira, po ashtu edhe me Shqipërinë kemi marrëdhënie vëllazërore. Me Maqedoninë kemi numër shumë të madh rekord të marrëveshjeve bilaterale, kemi edhe shumë tregti. Raportet mes Bullgarisë dhe Kosovës përmirësohen çdo vit e më shumë. Besoj se ne do të fokusohemi shumë te shkëmbimet tregtare dhe ekonomike. Si në bregdet ashtu edhe në zonat malore Bullgaria është një nga destinacionet e favoritit të kosovarëve. Mendoj se ka shumë mundësi në kuadrin e integrimeve euroatlantike të marrim më shumë mësime nga Bullgaria”, ka thënë Selimi.

Shteti më i ri i Evropës ndjek një politikë të jashtme aktive edhe në fushën e diplomacisë digjitale. Zv.ministri Selimi është ideator dhe koordinator i Strategjisë Kombëtare për Diplomaci Digjitale.

“Ne jemi shume vend i vogël dhe kemi shumë pak mundësi të afirmimit me buxhet të vogël. Prandaj kemi vendosur që së bashku me donatorët nga Norvegjia dhe Britania të investojmë në diplomacinë digjitale. Kështu bëjmë konkurse të ndryshëm në Instagram, bëjmë kurse në shkolla për Wikipedia. Kemi punuar shumë që Facebook-u ta njoh Kosovën si shtet. Marrim iniciativa që ndoshta kanë një potencë dhe një zë më të madh në mediumet digjitale. Është me rëndësi të kemi një afirmim të Kosovës në të gjitha fushat jo vetëm në diplomacinë klasike, por edhe aty ku ka shumë të rinj. Ne jemi krenarë që diplomacia jonë inovative po gjen publik”, ka thënë Selimi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/selimi-kosova-mund-te-anetaresohet-ne-unesco-deri-ne-fund-te-vitit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala