Selimi: edhe Greqia voton pro Kosovës në UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi llogarit që shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë pro që shteti me dy milionë banor të bëhet pjesë e organizatës që mbron trashëgimin kulturore dhe historike.

Selimi, që ka punuar nga afër për përgatitjen e Kosovës, ka konsideruar se nuk ka arsye që Komiteti Ekzekutiv ta mbaj Kosovën të izoluar.

“Serbia është duke zhvilluar një fushatë të egër kundër Kosovës. Ne kemi shpresa nesër në ora 15 se Komiteti Ekzekutiv do ta respektojë nevojën e Kosovës që të mos izolohet dhe se jo më shumë se 20 shtete do ta përkrahin Serbinë. Pastaj do të fokusohemi në Kuvendin e Përgjithshëm të UNESCO-s që mbahet më 9 nëntor”, ka thënë Selimi për Indeksonline.

Zëvendësministri Selimi është optimist që shumë shtete, përkundër që se kanë njohur Kosovën, do ta ndihmojnë në rrugën drejt UNESCOS.

“Ne llogarisim që mjaft shtete që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë pro-Kosovës në UNESCO. Edhe Greqia tashmë e ka deklaruar votën e vet pro Kosovës”.

Ai ka folur edhe për ruajtjet e monumenteve kulturore-historike të Kosovës, që Serbia pretendon se i ka në Kosovë.

Selimi është shprehur se edhe manastiret edhe xhamitë do të kenë mbrojtje të njëjtë dhe përkujdesjen e shtetit.

“Kosova do t’i ruajë me xhelozi së bashku me bashkësinë ndërkombëtare të gjithë margaritarët e arkitekturës dhe trashëgimisë në Kosovë, pavarësisht prej feve. Si manastiret ashtu edhe xhamitë kanë mbrojtje dhe ne nuk kemi ndërmend ta ndërrojmë karakterin e republikës sonë si shtet sekular dhe shumë-konfesional”, ka thënë Selimi.

Ndryshe nesër pritet që Kosova të futet në agjendën e diskutimit të UNESCOS për tu bërë anëtare me të drejta të plota.

Më pas, në nëntor lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO do të votohet në Kuvendin e përgjithshëm, ku nevojiten dy të tretat e votave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/selimi-edhe-greqia-voton-pro-kosoves-ne-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala