Selfie është çrregullim mendor

Autori:Avdyl Pajaziti

Libra të rinj nxjerrin zbuluar mekanizmin që na bën skllevër të rrjeteve socialë dhe celularëve: quhet Fomo “fear of missing out” (frika mos mbetemi mënjanë. Në ndërkohë, fryhen radhët e një ushtrie të penduarish që kanë vendosur të “heqin spinën”. Për t’u përqëndruar tek realja, pa e demonizuar virtualen

Pas tendencës, nisi të shfaqet çrregullimi. Pas workaholic (i dhënë pas punës) dhe shopaholic (i dhënë pas pazarit), ja ku janë diagnostifikuar edhe të sëmurit e “selfite”. Një diagnozë e bërë publike nga Shoqata amerikane e psikiatërve: je i sëmurë “selfite” nëse “ke një dëshirë të papërballueshme dhe kompulsive për t’i bërë fotografi vetvetes, për t’i publikuar më pas në internet, me qëllim që të kompensosh mungesën e vetëvlerësimit dhe të plotësosh boshllëqet e intimitetit”. Shkalla e vlerësimit e institutit kërkimor parashikon një nivel kufi për ata që vetëfotografohen tre herë në ditë, një nivel akut për ata që bëjnë të paktën tre fotografi të vetes në ditë, dhe kronik për ata që vetëfotografohen më shumë se gjashtë herë në 24 orë. Deri tek tragjedia e Courtney Ann Sanford në Karolinën e Veriut: të enjten e 24 prillit, tek ngiste makinën, ka bërë dhe postuar në internet një “selfie” përpara se të hynte në korsinë e kundërt dhe të përplasej me një kamion.

Të kthesh objektivin nga vetja dhe të lidhesh në internet: mbetet për të kuptuar nëse arsyet që shtyjnë drejt këtyre dy veprimeve janë të njëjtët. Disa vite më parë, sociologu Dalton Conley shkruante një libër me titullin “Gjetkë”, duke pagëzuar që në atë kohë një brez të ri të të dënuarve me “Të përtejmen”, gjithnjë të ndërlidhur me të tjerët, por tashmë të shkëputur nga vetvetja. Ushtria e “intravidëve” të Conleyt, të cilët janë gjithmonë në dy vende njëherësh, nga të cilët vetëm njëri është real, dukej se përparonte e kompaktësuar. Por tani kanë filluar të shfaqen dezertimet e parë. Duhet të jetë fragmentimi i vetvetes, në shumë “vetvete” me rëndësi të njëjtë. Mund të jetë mendjelehtësia që shkakton varësia e papërballueshme prej komunikimit konstant. Mund të jenë ankthi dhe stresi, që burojnë prej humbjes së intimitetit. Dhe sot, nuk janë të paktë ata që vendosin të zhduken nga rrjetet socialë dhe të fikin celularët. Gjë që do të thotë se kjo lëvizje e kundërt ka nisur të ketë përmasa për t’u konsideruar.

Ajo që nisi të realizojë rregjistrimin e të larguarve nga “E përtejmja” ka qenë Frances Booth, një prej eksperteve më të mëdha globale të “shpërqëndrimit dixhital”, e cila në librin e saj “Të shkëputur dhe të lumtur” nxjerr zbuluar mekanizmin që na mban të mbërthyer pas internetit: quhet “Fear of missing out” (Fomo), ose më saktë frika se mos lihemi mënjanë, të marxhinalizuar, një nevojë urgjente që na shtyn të kontrollojmë papushim emailet, postimet në internet e të tjera. Eshtë e domosdoshme që të ripërqëndrohemi tek realja, pa e demonizuar virtualen, thotë Booth. Por, kjo lloj tërheqjeje nga virtualja nuk do të thotë që të fikësh gjithçka dhe menjëherë, por të kontrollosh dhe rimodulosh: teknologjia na duhet. Ashtu si në rastin e dietave, sepse ndryshimi i qëndrueshëm duhet të vijë në mënyrë graduale. Ashtu si në rastin e varësive të tjera, për të ndryshuar duhet të kuptojmë arsyen përse e bëjmë.

Në vitin 2010, profesori Davd Strayer i Universitetit të Utah (dhe një Henry David Thoreau modern), kaloi një fundjavë duke u shkëputur totalisht dhe duke marrë me vete edhe katër neuroshkencëtarë të tjerë. Të katërt shkuan për t’u ngjitur në zona malore dhe për t’u ushtruar me varka. Ishte një studim mbi “lirinë mendore”. Në po të njëjtin vit, Jonathan Franzen shkruante në të përditshmen “The Guardian” dhjetë rregullat për ata që aspironin të bëheshin shkrimtarë: “Kam dyshime”, thoshte, “që çdokush që ka një lidhje në internet ndërkohë që ulet të shkruajë një libër, do të prodhojë një narrativë të mirë”. Profesorët amerikanë bëjnë kërkime për gjithçka dhe Franzen është kritik pothuajse për gjithçka, por ndërkohë, është rritur numri i kundërshtarëve dixhitalë: kolosi i informatikës, Atos, nga ky vit ndalon emailet mes punonjësve. Në Itali, Ferrari u kërkon të vetëve që të stimulojnë dialogun sy më sy. Atletëve të ekipit britanik të boksit në Olimpiadën e kaluar, kampioni i botës Amir Kahn u dha vetëm një këshillë: fikni celularët. Krishtlindjet e vitit që kaloi, treshja mediatike e formuar nga Arianna Huffington, themeluese e Huffington Post, Cindi Levie, drejtore e Glamour dhe Mika Brzezinski, gazetare, lançuan të ashtuquajturën “sfida e fikjes”: pa televizor, pa media sociale, pa email, pa celular për shtatë ditë. Mes shembujve është ai i shkrimtarit Teddy Wayne, i cili ka rrëfyer për “New York Times” eksperiencën e tij të “dezintoksikimit dixhital”. Gjithmonë nën shembullin e atij vitit të shkeputjes totale të gazetarit Paul Miller, i cili e ka rrëfyer këtë në faqen e internetit “The Verge”

A jemi në rrugën e duhur? Ndoshta, kur lojërat elektronike me gara me motorrë të na nxisin që të provojmë një Harley Davidson real. Ose kur të ndihemi të lirë të dëgjojmë zhurmën e dallgëve të detit dhe të zgjedhim: t’ua postojmë miqve tanë, apo thjeshtë ta depozitojmë në atë që është kujtesa më e mirë: e jona.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/selfie-eshte-crregullim-mendor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala