Seancë e rrezikshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Partnerët e koalicionit kanë vendosur dje që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës të mbahet të hënën e ardhshme, pavarësisht kërcënimeve të partive opozitare se nuk do ta lejojnë zhvillimin e saj.

Madje opozitarët nuk janë zmbrapsur as nga gjuajta e gazit lotsjellës as në seancën e radhës, pavarësisht se për veprime të tilla tashmë ndodhet në paraburgim shefja e deputetëve të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi dhe njëkohësisht është lëshuar fletarresti edhe për tre deputetë të Lëvizjes “Vetëvendosje”: Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.

Në anën tjetër, kryeparlamentari Kadri Veseli, të hënën u ka bërë thirrje partive opozitare që të mos e bllokojnë Kuvendin, madje duke thënë se me veprime të tilla po e dëmtojnë vetveten.

“Ftoj të gjithë deputetët e opozitës që temat t’i trajtojmë bashkërisht në Kuvend dhe të mos i cenojnë kolegët e tyre deputetë të Kuvendit të Kosovës, për arsye se me veprimet e tilla ata po e dëmtojnë vetveten. Nuk kanë nevojë të përdorin gazin lotsjellës.

Le ta lënë këtë aktrim, ngase e kanë tepruar”, ka thënë Veseli, duke shtuar se për të hënën nga Kuvendi “nuk ka ndonjë skenar provokativ”.

Ndërsa. Opozita ka paralajmëruar se edhe të hënën do ta bllokojnë seancën e Kuvendit.

Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë se qëndrimi i opozitës është i njëjtë sikur që ka qenë deri sot./ Zëri

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/seance-e-rrezikshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala