Seanca e Kuvendit mund të caktohet për të enjten

Autori:Avdyl Pajaziti

Seanca e ardhshme planer ka shumë gjasë se do të zhvillohet të enjten me 19 nëntor.

Burime të KlanKosova.tv kanë marrë vesh se kështu do të caktohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila do të mbahet nesër, e hënë, në ora 11:00.

Seanca e ardhshme, nëse mbahet ajo, do të ketë 37 pika të rendit të ditës, kurse në pikën gjashtë, parashihet “shqyrtimi i pare i Projektligjit për Buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2016”.

Por, tentimet për të mbajtur një seancë plenare te enjten do të bllokohen përsëri nga opozita. Kështu ka deklaruar për Klan Kosovën zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.

“Opozita do të protestojë brenda Kuvendit për të mos e lejuar zhvillimin e seancës”, ka thënë Krasniqi.

Seanca në parlamentin e Kosovës, përveç atyre solemne, nuk janë zhvilluar tash e dy muaj.

Me 11 shtator të këtij viti, kryeministri i Kosovës po raportonte për marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë, kur në fillim të fjalimit të tij u ndërpre nga opozita, deputetët e së cilës e gjuajtën me vezë kryeministrin për ta ndaluar fjalimin e tij.

Opozita është zotuar se nuk do të lejojë zhvillimin e një seance tjetër derisa Qeveria të tërhiqet nga marrëveshja e arritur me Serbinë në Bruksel për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma për Kosovën thonë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe e shkelë atë.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, kanë treguar se nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga kurrfarë marrëveshje, dhe se kërkesat e opozitës janë absurde.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/seanca-e-kuvendit-mund-te-caktohet-per-te-enjten/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala