Sa e dëmton zhurma dëgjimin

Autori:Avdyl Pajaziti

Miliona persona në botë kanë probleme me dëgjimin, të shkaktuar nga zhurmat e vazhdueshme që na rrethojnë. “E vërteta e hidhur është se shumë prej nesh janë vetë përgjegjës për humbjen e dëgjimit”, shkruan Katerin Bouton në librin e saj “Të bërtiturit nuk të zgjidh punë”.

Shkaku janë zhurmat ndaj të cilave ne e ekspozojmë veten ditë pas dite. Muzika nga kufjet (dëgjueset), koncertet, tharëset e flokëve, sirenat, fshesat me rrymë, boritë e makinave etj., të gjitha këto ndikojnë negativisht në veshët tanë.

Zhurmat e larta ose ekspozimi kronik ndaj një tingulli edhe kur ai nuk është shumë i lartë, mund të dëmtojë aparatin e dëgjimit duke i shkatërruar qelizat përgjegjëse. Në këtë rast, këto qeliza janë në një sasi të caktuar dhe nuk mund të zëvendësohen, ndaj ndjeshmëria ndaj tingujve humb përkohësisht.

Fillimisht humbet ndjeshmëria ndaj tingujve me frekuencë të lartë, më pas humbet edhe aftësia për të dëgjuar frekuencat e fjalëve. Robert V. Harrison, një specialist në Universitetin e Torontos, shprehet se pasojat e ekspozimit ndaj zhurmës grumbullohen vazhdimisht. Edhe pse në fillim shkatërrohen vetëm disa qeliza, nëse ekspozohemi përditë ndaj zhurmës, atëherë dëgjimi ynë fillon të dobësohet derisa të humbasë.

Kur qelizat e dëgjimit dëmtohen që në moshë shumë të re, siç ka ndodhur me shumë muzikantë apo edhe të pasionuar pas koncerteve të tyre, me arritjen e moshës së mesme këta persona e kanë shumë të vështirë të dëgjojnë dhe kuptojnë fjalët.

Tingulli matet me decibel (dB), niveli i zhurmës që shkakton humbje të përkohshme të dëgjimit është rreth 85 dB, i barabartë me zhurmën e tharëses së flokëve apo edhe miksuesit të frutave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sa-e-demton-zhurma-degjimin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala