Rusinë e pengon prezenca e Kosovës në sallën e OKB-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Moska nuk po e përkrah iniciativën e presidentit amerikan, Barack Obama, mbi mbajtjen e një samiti mbi luftën kundër ISIS-it në OKB, ka thënë Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin.

“Ne besojmë se gjithçka duhet të ndodhë në mënyrë të rregullt, brenda kornizës së OKB-së, pa e tërhequr batanijen dhe të luani rolin e OKB-së”, ka thënë ai para gazetarëve, raporton rbth.co.uk.

“Kjo iniciativë”, sipas Churkinit, “cenon seriozisht përpjekjet e OKB-së në këtë drejtim”.

Ambasadori rus kritikoi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje.

“Ata [Kosova] po qëndrojnë ulur në sallë së bashku me anëtarët tjerë të OKB-së, kjo është krejtësisht e gabuar. Të bësh gjëra të tilla në ndërtesën e OKB-së është mosrespektuese ndaj Organizatës, jashtëzakonisht shumë veprim mosrespektues ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së”, ka theksuar ai, transmeton Koha.net.

“Për pasojë, SHBA-të po e cenojnë prestigjin e një zyre të rëndësishme siç është ajo e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së”, tha Churkin. “Ata po tregojnë se edhe në ndërtesë, Obama është shefi, dhe kjo është për keqardhje”.

Ndërkaq, media ndërkombëtare kanë raportuar se si presidenti Obama po e trajton Kosovën si shtet.

“SHBA-të po e trajtojnë Kosovën si shtet gjatë takimit të nivelit të lartë të thirrur nga Preisdenti Barack Obama mbi luftimin e ekstremizmit. Një tabelë e ulëseve për takimin e së martës shfaq Kosovën në mesin e shteteve pjesëmarrëse në takim, ani pse nuk është shtet anëtar i OKB-së”, shkruan Starherald.com, transmeton Koha.net.

Në këtë takim, sipas Starherald, po marrin pjesë edhe Rusia e Serbia, dy shtete këto që kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në punimet e Samitit Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, ku është ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Në Samit, së bashku me kryeministrin, janë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rusine-e-pengon-prezenca-e-kosoves-ne-sallen-e-okb-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala