Rusia paralajmëron rrezikun e përballjes mes fuqive të mëdha

Autori:Gazeta Fjala

Pohimeve të Uashingtonit mbi dërgimin e mundshëm të forcave speciale në Siri, Moska i është përgjigjur me paralajmërimet e rrezikut të një përballjeje mes dy fuqive të mëdha në Lindjen e Mesme.

Ajo çfarë lexohej mes rreshtave të deklaratës së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov nuk lë shumë vend për interpretim: do të na tërhiqni në një luftë që nuk është e jona, e pikërisht për shmangien e një skenari të tillë, bashkëpunimi amerikano-rus sot duhet perforcuar.

“Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta hedhin një hap të tillë në mënyrë krejtësisht të njënashme e pa u konsultuar me udhëheqjen siriane. Unë jam i bindur se as Shtetet e Bashkuara dhe sigurisht as Rusia nuk dëshirojnë asnjë lloj rrëshqitjeje drejt një konflikti mes tyre në një vend të tretë. Për mua, është mëse e qartë kjo situatë e bën akoma edhe më të rëndësishme detyrën e bashkëpunimit mes ushtrive tona”, thotë Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

Zyrtarët amerikanë njoftuan më herët se mund të dërgojnë në Siri rreth 50 trupa me qëllimin të stërvisin, këshillojnë e të ndihmojnë forcat e opozitës siriane që luftojnë kundër Sshtetit Islamik. Nëse ushtarët do të nisen vërtet, atëherë kjo do të jetë e para herë që trupat amerikane do të veprojnë hapur në Siri.

Numri i tyre do të jetë vërtet shumë i vogël, por nuk është e tillë simbolika e këtij vendimi që në thelb, përfaqëson një ndryshim rrënjësor të politikës së ndjekur nga Shtetet e Bashkuara deri më tani në këtë vend. Gjasat janë të mëdha trupat në fjalë të luftojnë në krah të forcave kurde, aleatët më të dobishëm lokale të Uashingtonit.

Kjo kthesë e beftë në linjën amerikane të veprimit duket se është ndikuar edhe nga ndërhyrja ajrore ruse në Siri, përpjekja e radhes nga ana e Moskës për të treguar muskujt e për të dëshmuar edhe një herë ndikimin e vet global./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rusia-paralajmeron-rrezikun-e-perballjes-mes-fuqive-te-medha/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala