Rusia vazhdon ta furnizojë me drithëra Shqipërinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Rusia është shprehur se nuk e ka ndalur furnizimin me drithëra në Shqipëri dhe çdo shqetësim në këtë aspekt është i pabazuar, ka thënë Ambasada e Rusisë në Shqipëri.

“Ambasada e Rusisë në Shqipëri është e befasuar me një numër të madh të raporteve të publikuara aktualisht nga mediat shqiptare me pretendimin për kërcënim të dyshuar për përfundimin e furnizimit me drithëra ruse për Shqipërinë”, ka shkruar Ambasada e Rusisë në rrjetin Facebook, raporton agjencia Interfax nga Moska.

Vendimi i qeverisë së Rusisë vetëm e ndalon importimin e prodhimeve bujqësore të Shqipërisë dhe të materialeve të papërpunuara në Rusi, thotë kjo ambasadë.

“Vendimi nuk ka të bëjë me regjimin e eksportit të mallrave ruse, përfshirë drithërat, prandaj, shqetësimi për përfundim të mundshëm të furnizimit me drithëra ruse në Shqipëri, është krejtësisht i pabazuar”, ka thënë Ambasada e Rusisë në Tiranë.

Para disa ditësh, qeveria e Rusisë e ka zgjeruar listën e vendeve nga të cilat nuk do të importohen prodhime ushqimore, duke e përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rusia-nuk-e-ka-ndalur-furnizimin-me-drithera-ne-shqiperi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala