Rusia mohon sërish përfshirjet në trazirat në Malin e Zi

Autori:Gazeta Fjala

Rusia edhe një herë është distancuar nga vatrat e shpërthimit të tensioneve pas të cilave dyshohet se mund të jetë dora e saj. I fundit i listës së vendeve ku për situatën e përshkallëzuar befas Kremlini ka hedhur sytë është Mali i Zi.

Kryeministri Milo Gjukanoviç e akuzoi pak ditë më parë Moskën se mbështet opozitën malazeze në valën e protestave të saj për shkak se kërkon të ndalojë anëtarësimin e vendit në NATO.

Presidenti rus reagoi sot nëpërmjet zëdhënësit të tij, Dmitry Peskov, duke i hedhur poshtë dhe duke i cilësuar si “mjaft të çuditshme” pretendimet për një përfshirje të Rusisë në trazirat e javëve të fundit.

“Pati ca deklarata të habitshme javën që shkoi dhe ne po reagojmë ndaj tyre në të njëjtën mënyrë si edhe ju. E thatë vetë se qenë pohime mjaft të pazakonta”, ishte përgjigjia e Peskov ndaj pyetjes se si i sheh pretendimet e Gjukanoviç.

“Duhet ta keni të qartë se për shumë vende ka ikur ajo kohë kur e keqja shihej gjithandej dhe për çdo gjë demonizohej Rusia. Të shpresojmë se në fund mendimi praktik do të triumfojë”, shtoi zëdhënësi.

Gjukanoviç, politikani pro-europian më jetëgjatë në qeverisje, nuk i pranon akuzat e demonstruesve për korrupsion dhe mendon se pas tyre nuk fshihet gjë tjetër veçse një komplot për rrëzimin e tij.

Njeriu që e ka drejtuar vendin e vogël me 600.000 banorë herë si kryeministër e herë si president, ka ditur gjithmonë të përshtatet me frymën e kohës duke u shfaqur në fillim si funksionar i ri komunist, më pas bashkudhëtar i autokratit Slobodan Millosheviç, si ideolog i shkëputjes së vendit nga Serbia dhe në fund partner i Perëndimit, që kërkon ta fusë Malin e Zi në BE dhe NATO.

Kundërshtarë të tij ka në të gjitha shtresat dhe sondazhet tregojnë se përkrahësit e anëtarësimit dhe refuzuesit e tij janë në një garë të ashpër kokë më kokë. Ekspertët mendojnë megjithatë se gjithmonë e më shumë qytetarët po mendojnë në mënyrë më racionale për Aleancën e Atlantikut Verior./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rusia-mohon-serish-perfshirjet-ne-trazirat-ne-malin-e-zi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala