RTK me probleme financiare, shtohet numri i punëtorëve

Autori:Gazeta Fjala

 

​Në tremujorin e dytë të vitit Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka vazhduar të përballet me probleme financiare, por njëkohësisht edhe ka shtuar numrin e të punësuarve

Këto të dhëna kanë dalë në shesh në një debat në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ku deputetët kanë kritikuar menaxhimin e këtij institucioni publik, derisa drejtori i përgjithshëm është arsyetuar me kufizime ligjore, shkruan sot Koha Ditore.

Të hënën, në Komisionin për Buxhet dhe Financa u shqyrtua Raporti financiar i RTK-së për periudhën prill – qershor 2016 dhe programi i shpenzimeve për periudhën korrik – shtator. Ky raport u përcoll me kritika të shumta nga dy deputetet Besa Gaxherri dhe Labinota Demi-Murtezi, të cilat kritikuan RTK-në për numrin e madh të punëtorëve dhe tejkalim të buxhetit të paraparë.

Gjendjen jo të mirë financiare të RTK-së e paraqet edhe Raporti i Auditorit për vitin 2015, sipas të cilit RTK-ja e ka përmbyllur vitin me borxh prej 4 milionë e 631 mijë eurosh.

Se situata e RTK-së është e nderë e pranoi edhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, i cili u kritikua nga deputetja Gaxherri pse Shala ishte autorizuar nga kryetari i Bordit të RTK-së që të prezantojë raportin e këtij institucioni medial, duke thënë se një gjë e tillë nuk është ligjore dhe se në mungesë të kryetarit, do të duhej që të fliste ndonjë anëtar i bordit.

Gaxherri e kritikoi atë edhe për tejkalim të shpenzimeve të parapara për paga dhe mëditje. “Në paga dhe mëditje janë 38 mijë e 690 euro më shumë se sa të planifikuara. Ju i keni 3 milionë e 300 mijë euro të planifikuara, ndërsa 38.690 euro janë më shumë të shpenzuara se që janë planifikuar. Prej kësaj del se në total i keni 8 mijë euro. Ajo çka ka ndodhur është që në investime kapitale edhe shërbime publike nuk ka pasur”, ka thënë Gaxherri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rtk-me-probleme-financiare-shtohet-numri-i-punetoreve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala