Rrushi zbukurues i Rahovecit

Autori:Avdyl Pajaziti

Avdullah Duli, 81-vjeçar, bashkë me familjarët e tij kishin nisur të mërkurën punën e vjeljes së rrushit që në orën 6:00 të mëngjesit. Rreth mesditës ata kishin grumbulluar dhjetëra gajbe rrush të llojit “Vranac”.

Rrushin e tryezës tashmë e kishin vjelë. Ndërkohë që po priste traktorin për ta dërguar në një punëtori të përpunimit të tij, ai bashkë me nipin e tij, Muhametin, 9-vjeçar, dhe me familjarë të tjerë po ndukte kalaveshë të rinj.

Sado që s’dukej të ishte i kënaqur me fitimin, Duli flet me pasion për punën që e bën me dekada të tëra.

“Gjysh e babagjysh kemi jetuar nga kjo punë. Është punë e vështirë, por nuk të lë pa bukë”, thotë ai. Duli nuk e vlerëson njëjtë cilësinë e rrushit të sotëm me atë të mëparshmin, shkruan Koha Ditore.

“Sot po stërpiken me lloj-lloj helmesh, kurse atëherë e mbronim hardhinë me gurkali dhe me qyreq (gëlqere v.j.)”, tregon ai, dhe shton se rrushi mund të hahet edhe në degë. “Edhe unë po e ha nga pak në degë, por e di që s’është i pastër”, theksonte ai.

Gjëja tjetër që ai ankohej ishte edhe çmimi i lirë i kilogramit të rrushit të verës. Theksonte se 25 centë po e jepnin një kilogram. Për punën e lodhshme, thoshte se rrushi nuk jep kurrë pushim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrushi-zbukurues-i-rahovecit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala