Rritja ekonomike për 3 për qind, e pashpresë

Autori:Gazeta Fjala

Rritja ekonomike e Kosovës prej 1 për qind në vitin 2014 dhe 3 për qind në vitin 2015, është e pamjaftueshme për zbutjen e varfërisë, zvogëlimin e papunësisë si dhe mundësinë që përsëri të ketë fluks të largimit të qytetarëve nga vendi.

Kështu deklaruan përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovës, gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Evropën Juglindore, ku theksuan se Kosovës i nevojitet rritje ekonomike më e lartë, për të zbutur problemet thelbësore, siç janë papunësia dhe varfëria.

Kështu po thonë edhe njohës të ekonomisë së Kosovës, pas raportit që nxorën përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë, ditë më parë.

Se gjendja edhe këtë vit vazhdon të jetë shumë e rëndë sa i përket zhvillimit ekonomik, e pranoi edhe Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Ai tha se rritja ekonomike e Kosovës është me tkurrje të saj dhe ka shumë arsye pse ndodhë kështu sepse, sipas tij, Qeveria po vonohet me reforma të politikave ekonomike e që rrisin interesimin e investitorëve.

“Një vit më herët gjendja ka qenë tejet e rëndë ekonomike, por për fat të keq, edhe ky vit është duke u shoqëruar me trendin e njëjtë, pa një rritje për shpresë të ekonomisë të sektorit privat, të rritjes së vendeve të reja të punës dhe si pakënaqësi e gjithë kësaj është se, vitin e kaluar dhe këtë vit, kemi vërejtur një trend të pakënaqësisë së braktisjes së vendit nga qytetarët e Kosovës, e kjo braktisje po vazhdon edhe sot, edhe pse jo në trendin e filluar”, shtoi Shahini.

Ai fajëson Qeverinë se po bën eksperimente dhe nuk po merr praktika të mira të vendeve në rajon se çfarë reforma duhet ndërmarr që të mos rrezikohet buxheti i vendit dhe, në këtë mënyrë, të shtohet interesimi i të huajve për investime.

“Një vit më herët neve na kanë ikur më shumë se 39 për qind të investitorëve të huaj. Kemi pas rreth 100 milionë më pak investime dhe, kjo për Kosovës është tepër tronditje”, tha më tej Shahin.

Madje ai vlerëson se e gjitha që Qeveria duhet të bëjë është që të ndalë rritjen e natalitetit, pasi trendi i rritjes së natalitetit, dhe trendi i kërkesës së rritjes ekonomike nuk janë në përputhje me kërkesat e punësimit dhe zhvillimit.

Edhe Haki Shatri, ekspert për çështje ekonomike tha se rritja ekonomike e Kosovës vetëm 3 për qind nuk është e mjaftueshme për tu zgjidhur asnjë problem aktual i ekonomisë së Kosovës e as i papunësisë e as i varfërisë.

“Është një lëvizje e vogël sepse në kushte kur ekonomia është në bazë të ultë të zhvillimit, 3 përqindëshi nuk tërheq një rritje esenciale të madhe që të vërehet në standard apo në procese të zhvillimit”, tha Shatri.

Për të pasur ndryshime esenciale, sipas tij, do të duhet një rritje prej 7- 8 për qind dhe, në këtë mënyrë, do të kishte mundësi që të mos rritej papunësia dhe të zgjidhen disa probleme siç është varfëria e papunësia, transmeton lajmi.net.

Ai thotë se Kosova ka mjaft pasuri që mund të ndihmojnë në këto probleme por, sipas tij, askush nuk po merret me to që t’i funksionalizojë. “Të gjithë po merren me politika të jashtme e dallaveresh që kurgjo hajër s’po sheh populli nga këto punë”, pohoi ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rritja-ekonomike-per-3-per-qind-e-pashprese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala