Rrihet nxënësi deri në alivanosje nga mësuesi

Një prind, banor i fshatit Gërmovë të Vitisë, ka akuzuar arsimtarin e Shkollës Fillore të fshatit se e ka rrahur keq vajzën e tij, e cila nga goditjet e marra është alivanosur. Ai rastin e ka lajmëruar edhe në polici, e cila ka vepruar menjëherë dhe e ka marrë në pyetje arsimtarin, nën dyshimin se ai ka përdorur dhunë fizike ndaj nxënëses njoftoj policia e Gjilanit.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, ka thënë se është marrë në pyetje arsimtari i lëndës Edukatë Qytetare, që dyshohet se ka rrahur një nxënëse të klasës së gjashtë.
Prindi i vajzës ka thënë se vajza e tij e kishte humbur vetëdijen si pasojë e rrahjes. Njësiti i hetimeve pas marrjes së informatës kanë kontaktuar dhe sjellë në lokalet e stacionit Policor në Viti të dyshuarin.
Ai është intervistuar, po ashtu në cilësi të dëshmitarëve janë intervistuar edhe disa ankues të tjerë, prind të fëmijëve të tjerë.
Pas kompletimit të rastit, i dyshuari është dëgjuar nga Prokurori i Shtetit dhe me vendim të tij ndaj të dyshuarit është caktuar masa e lajmërimit në polici, deri në kompletimin e rastit. /rajonipress/