RrGGK: Vizita e Dikoviqit në Prishtinë është ofendim i rëndë

Autori:Avdyl Pajaziti

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) shpreh kundërshtimin lidhur me vizitën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, gjeneralit Dikoviq, në Prishtinë.

RrGGK konsideron se sjellja e Dikoviqit në Prishtinë është vendim i pamatur nga ana e KFOR-it dhe përbën provokim dhe fyerje të rëndë për viktimat e luftës në Kosovë dhe familjet e tyre.

Kjo, për arsye se sipas të gjeturave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), i cili udhëhiqet tash e sa vite nga aktivistja për të drejtat e njeriut, Nataša Kandić, gjenerali serb Dikoviq është përgjegjës për shumë krime të kryera në luftën në Kosovë.
Dikoviq është akuzuar për krime lufte në Kosovë edhe nga Sonja Biserko, një tjetër aktiviste për të drejtat e njeriut në Serbi, njëherësh drejtore e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

“KFOR-i ka partner ushtrinë serbe dhe si rezultat është takuar disa herë me gjeneralin Dikoviq në Serbi. Mirëpo, dje, në prani të komandantit të KFOR-it Gjeneral Major Guglielmo Luigi Miglietta dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Gjeneralit Dikoviq, në Prishtinë u nënshkrua marrëveshja mbi procedurat e përkohshme operative pas një relaksimi të plotë të Zonës së Sigurisë Ajrore”, thuhet në reagim.

Zona e sigurisë ajrore (ZSA), e cila është e përcaktuar me Marrëveshjen Teknike Ushtarake, shtrihet përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në gjerësi prej 25 kilometrash.

RrGGK konsideron se bazuar në vetë faktin që Serbia ende nuk ka kërkuar zyrtarisht falje për krimet e kryera në Kosovë, dhe se ende nuk është vënë drejtësia në vend për këto krime, KFOR-i duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për këtë provokim dhe ofendim të rëndë që i është bërë viktimave dhe familjeve të tyre, me sjelljen e Gjeneralit Dikoviq në Prishtinë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrggk-vizita-e-dikoviqit-ne-prishtine-eshte-ofendim-i-rende/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala