Rrezikohet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Për më pak se një vit mandat në krye të institucioneve, koalicionit PDK – LDK i kanë shpërthyer pakënaqësitë e para nga militantët partiakë, të cilat rrezikojnë ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pakënaqësitë më të mëdha vijnë nga zyrtarët e partnerit të madh të koalicionit, përkatësisht partisë që drejtohet nga zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, (PDK), të cilët po vlerësojnë se po largohen padrejtësisht nga pozicionet institucionale nga ministrat e partisë së Isa Mustafës, në të cilat pozita po emërohen militantë të LDK-së.

Burime të gazetës “Zëri” brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se pakënaqësi të mëdha kanë shpërthyer së fundmi në lidhje me menaxhimin e Ministrisë së Financave nga Avdullah Hoti dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nga Hykmete Bajrami.

“Të gjithë ministrat e PDK-së që e kanë drejtuar Ministrinë e Financave, Ahmet Shala, Bedri Hamza, Besim Beqaj, nuk e kanë larguar asnjë zyrtar të LDK-së, pavarësisht se në atë kohë kjo e fundit ka qenë në opozitë. Agim Krasniqi, i cili tashmë është emëruar zëvendësministër i Financave, gjatë gjithë periudhës së kaluar sa këtë Ministri e ka drejtuar PDK-ja, ai ka qenë drejtor i buxhetit të Kosovës. Të kundërtën po e bën Avdullah Hoti, pavarësisht se partia e tij është në koalicion me PDK-në”, thotë burimi i gazetës. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrezikohet-te-kete-zgjedhje-te-jashtezakonshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala