Rrethohen institucionet e Kumanovës

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka informuar se janë shtuar forcat e sigurisë pranë institucioneve në Kumanovë.
Në kuadër të këtij plani, janë bllokuar edhe rrugët për lëvizjen e makinave nga xhamia e qytetit deri tek pjesa e poshtme drejt qendrës, pasi që aty janë edhe shumica e institucioneve, si komuna, gjykatat dhe sekretariati i punëve të brendshme.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski deklaroi se këto masa janë pjesë e sigurisë në Kumanovë dhe se në këtë pjesë janë të locuara pjesa më e madhe e institucioneve.
Të punësuarit në këto institucione dhe qytetarët kanë theksuar se nuk ka pengesa në lëvizjen e qytetarëve dhe se ata normalisht kanë kryer punët e tyre.
Prania e forcave policore dhe bllokimi i rrugëve ka ndodhur prej mbrëmë para mesnate, ku një pjesë e qytetarëve përmes rrjeteve sociale kanë ngritur panikë dhe shqetësim të madh në qytet.
Kësaj i kanë paraprirë edhe disa portale duke raportuar se gjoja ka pasur sulm kërcënues ndaj sekretariatit të punëve të brendshme në Kumanovë.(INA)