Rreth 30 mijë shqiptarë në Gjermani nuk kanë asnjë mundësi për azil

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, Manfred Schmidt ka paraqitur një pasqyrë të situatës aktuale të azilkërkuesve në Gjermani, ku vetëm në pak kohë, 30 mijë prej tyre janë nga Shqipëria. E ky numër është shqetësues.
“Ne kemi një numër shumë të madh azilkërkuesish këtu në Gjermani. Gjatë këtij viti kemi llogaritur që kanë ardhur 450 mijë të tillë. Kryesisht, vendi nga vijnë më së shumti është Siria, por ajo që ne na shqetëson më tepër aktualisht është se vendi i dytë nga vijnë ata është Shqipëria.

Për një kohë të shkurtër na kanë ardhur rreth 30 mijë aplikues. Këta azilkërkues nga Shqipëria kanë mundësi shumë të pakta për të fituar të drejtën e azilit në Gjermani. Arsyet që paraqesin ata për të kërkuar azil janë shumë të dobëta”, tha Manfred Schmidt.

Për sa i përket shtetasve shqiptarë që janë aktualisht në Gjermani, Schmidt, për tch ka siguruar se ata do të kthehen.

“Ne kemi filluar procesin e përshpejtimt të procedurave për kthimin e azilkërkuesve shqiptarë në vendin e tyre. Për një muaj janë marrë rreth 5000 vendime negative dhe azilkëkuesit do të kthehen në Shqipëri.

Gjithashtu, ka edhe një marrëveshje mes landeve të Gjermanisë, që aplikuesit për azil do të qëndrojnë në shtëpitë e strehimit ku vendosen fillimisht, e nuk do të shpërndahen nëpër komuna të tjera, pasi për ta do të merret vendim i shpejtë.

Jemi duke shqyrtuar çështjet e azilkërkuesve, që vijnë nga Shqipëria dhe kanë arsye shumë të dobëta. Atyre do t’u ndalohet të hyjnë më në Gjermani dhe nuk do t’u mundësohet më leja e qëndrimit”, u shpreh më tej Schmidt.

I pyetur lidhur me pagesat, që janë ofruar deri më tani nga lande të ndryshme të Gjermanisë, për kthimin vullnetar të azilkërkuesve, presidenti Schmidt ka saktësuar se kjo gjë nga ndodhur vetëm në një komunë të Gjermanisë. Por, ai shtoi se Enti Federal për Migrimin dhe Refugjatët, për të gjithë ata azilkërkues që kthehen vullnetarisht në Shqipëri, përmes organizatës IOM, merr përsipër shpenzimet e udhëtimit.

Duke u ndalur te disa propozime të ardhura nga parti të ndryshme në Gjermani, për dhënien e vizave të punës, Schmidt ka dhënë një sinjal pozitiv në këtë drejtim.

“Ekzistojnë mendime dhe debate, që ne si shtet të zgjerojmë rregullat për të dhënë leje qëndrimi. Siç dihet, Gjermania ka sistemin më liberal ndër vendet e Europës Perëndimore, sa i përket lejes së qëndrimit. Gjithashtu, dihet që Gjermania ka një sistem dual sa i përket profesioneve, sistem të cilin shumë shtete të tjera nuk e kanë.

Po diskutohet që, kriteret që kemi për të fituar një leje qëndrimi, duam t’i lehtësojmë pak për rastet nga Shqipëria. Në këtë mënyrë, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi për të përfituar më lehtë një leje qëndrimi, nëpërmjet profesionit të tyre në Gjermani. Por kjo masë është edhe për të sinjalizuar se, azili është rruga më e gabuar për shqiptarët për t’u integruar në Gjermani”, deklaroi Schmidt.

Manfred Schmidt ka folur dhe për konferencën, që pritet të mbahet në fillim të shtatorit mes krerëve të landeve të Gjermanisë dhe Kancelares Merkel.

“Kjo është konferenca e dytë mes Kancelares Merkel dhe drejtuesve të landeve. Konferenca e parë është zhvilluar më 18 qershor dhe aty janë diskutuar çështjet e kërkesave për azil, të cilat u shtuan në mënyrë drastike, në mënyrë që t’i bënim sa më optimale proceset e azilkërkimit dhe për t’i përshpejtuar ato. Janë diskutuar gjithashtu proceset teknike, ndërsa tashmë në konferencën e dytë do të diskutohet nëse qëndrojnë ato dhe çfarë rezultatesh kanë sjellë, si dhe nëse është e nevojshme për të ndërhyrë dhe për të marrë masa të tjera”, tha Schmidt.

Nëse situata vijon të jetë e tillë dhe numri i azilkërkuesve të jetë i lartë, zoti Schmid nuk ka përjashtuar as kthimin e regjimit të vizave.

“Kjo pyetje është shumë reale dhe e pranishme në Gjermani. Po diskutohet në mënyrë gjithnjë e më të shpeshtë. Vetë fakti, që brenda një kohë shumë të shkurtër kanë ardhur 30 mijë aplikues nga Shqipëria, është shumë shqetësues. Kështu që, nëse numri i azilkërkuesve vazhdon të jetë i lartë, ka mundësi që këto masa ne t’i ndërmarrim për të ndalur ardhjen e azilkërkuesve, të cilët nuk kanë asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë”, paralajmëroi Manfred Schmidt.

E në fund, Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, u ka drejtuar një thirrje të gjithë shqiptarëve, që po mendojnë të udhëtojnë për të kërkuar azil drejt Gjermanisë.

“Ju lutem, mos u besoni thashethemeve të gabuara, që vijnë nga trafikantë të qenieve njerëzore, sipas të cilëve Gjermania ofron azil për rrethanat që mbizotërojnë në Shqipëri. Të informohen mbi mundësitë ligjore që kanë shtetasit shqiptarë për të ardhur në Gjermani. Kërkesa e tyre për azil në Gjermani i çon ata në një fatkeqësi”, përfundoi Schmidt.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rreth-30-mije-shqiptare-ne-gjermani-nuk-kane-asnje-mundesi-per-azil/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala